TIRANË, 29 tetor 2025 Në një zhvillim diplomatik historik, Siria ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 120-të që e njeh pavarësinë e saj. Vendimi u shpall në Riad gjatë vizitës së Presidentes Vjosa Osmani dhe shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë kosovare në vitet e fundit.
“Me mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës,” deklaroi Presidentja Osmani. Ajo falënderoi udhëheqjen saudite dhe atë siriane, duke e quajtur këtë “jo vetëm njohje të sovranitetit shtetëror, por edhe njohje të brezave që sakrifikuan për të jetuar të lirë.”
Osmani shtoi se popujt e Kosovës dhe të Sirisë “kanë vuajtur dhe sakrifikuar shumë për të arritur lirinë”, duke e cilësuar këtë moment si një ngjarje që “bashkon përvojat e përbashkëta të luftës dhe të çlirimit”. “Republika jonë po ecën përpara dhe asgjë nuk mund ta ndalë,” theksoi ajo.
Ministria e Punëve të Jashtme të Sirisë konfirmoi vendimin në rrjetin social X (ish-Twitter), duke theksuar se njohja bazohet në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe në përkushtimin për të forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e mirëpriti vendimin duke e cilësuar si “një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe. “Kosova tani njihet zyrtarisht nga 120 shtete, ndërsa Siria iu bashkua listës së vendeve që e kanë njohur. Shprehim mirënjohje ndaj Presidentes Vjosa Osmani për përpjekjet e saj të suksesshme dhe ndaj të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij procesi. Presim forcimin e lidhjeve tona ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri të historisë së tij,” shkroi Kurti në platformën X.
Burime diplomatike konfirmojnë se Arabia Saudite ka luajtur një rol vendimtar në këtë proces. Presidentja Osmani ishte takuar dy ditë më parë me Princin e Kurorës, Muhammed bin Salman, gjatë pjesëmarrjes së saj në një forum ndërkombëtar në Riad.
Sipas Albert Rakipit, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe kryetar i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS), Arabia Saudite dhe udhëheqja e saj kanë pasur një rol thelbësor në arritjen e kësaj njohjeje të rëndësishme.
“Për këtë njohje kaq të rëndësishme, roli themelor i takon Arabisë Saudite dhe udhëheqësit të saj, Princit të Kurorës,” tha Rakipi. “Shtimi i njohjeve për Kosovën ndihmon në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme një objektiv që përkon me rolin që Arabia Saudite po luan aktualisht në diplomacinë ndërkombëtare. Ka disa arsye pse jo të gjitha vendet në Lindjen e Mesme e kanë njohur Kosovën faktorë politikë, specifika gjeopolitike, por edhe trashëgimi historike. Një numër vendesh ish-anëtare të Levisjes se Mosangazhimit gjatw Luftes se Ftohte (Non Alignement Movement) nuk e kanë njohur ende Kosovën ose hezitojnë ta bëjnë këtë. Në këto rajone, diplomacia agresive serbe për të penguar njohje të reja shpesh përplaset me diplomacinë e Kosovës. Por, ashtu si në çdo betejë tjetër, edhe betejat diplomatike fitohen ,sidomos nga vendet e vogla, që kanë aleatë të mëdhenj siç është rasti i Mbretërisë së Arabisë Saudite.”
Kjo njohje vjen pas atyre të Sudanit dhe Kenias më herët gjatë vitit 2025, duke sinjalizuar një rigjallërim të fushatës ndërkombëtare të Prishtinës për njohje të reja. Para këtyre zhvillimeve, njohja e fundit kishte ndodhur në vitin 2021, kur Izraeli njohu shtetësinë e Kosovës në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit të ndërmjetësuar nga SHBA.
Analistët ne AIIS vlerësojnë se vendimi i Sirisë përforcon legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe pasqyron rritjen e ndikimit të Arabisë Saudite në diplomacinë ndërkombëtare dhe në ndërtimin e urave midis rajoneve që dikur ishin të ndara nga politika dhe historia.


