Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti në një takim të rëndësishëm Këshillin e Prindërve të Tiranës, me fokus diskutimin dhe marrjen e masave për koordinimin më të mirë të zinxhirit të përgjegjësive, me qëllim përmbushjen e një prej prioriteteve kryesore të Policisë së Shtetit – garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Gjatë takimit u diskutuan disa çështje kyçe, ndër të cilat:
- Siguria e nxënësve në ambientet e shkollës dhe përreth saj;
- Siguria rrugore pranë institucioneve arsimore;
- Siguria kibernetike dhe mbrojtja e fëmijëve online;
- Garantimi i sigurisë gjatë aktiviteteve sociale ku marrin pjesë fëmijët dhe të rinjtë;
- Bashkëpunimi midis komunitetit të prindërve dhe Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi rekomandimet e Këshillit të Prindërve, duke theksuar se ato lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve. Ai garantoi se strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë maksimalisht të angazhuara për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët përgjegjës për sigurinë në shkolla.
“Policia e Shtetit e ka prioritet sigurinë në shkolla. Vlerësojmë maksimalisht çdo konflikt, edhe ato më të vogla ndërmjet bashkëmoshatarëve, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe bordet e prindërve që kanë një rol kyç në këtë proces,” u shpreh Proda.
Ai shtoi se ka dhënë udhëzime të qarta për intensifikimin e monitorimeve në shkolla, veçanërisht gjatë javëve të fundit të vitit shkollor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me oficerët e sigurisë, punonjësit socialë dhe policitë bashkiake.