Në një dëshmi të gjatë dhe tronditëse dhënë në GJKKO, i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka zbardhur detaje të rëndësishme mbi aktivitetin kriminal të një grupi të strukturuar dhe ngjarje të rënda që kanë tronditur opinionin publik vitet e fundit.
Sipas Alibejt, pas një takimi në banesën e Suel Çelës, ai ishte larguar drejt Anglisë, për t’u rikthyer përfundimisht në Shqipëri në vitin 2018. Ai tregoi për një episod të ndodhur pranë zonës së “5 Majit” në Tiranë, kur ka konstatuar se ishte duke u ndjekur nga një makinë me katër persona, mes tyre edhe Xhoni Rusta. “Mbaja armë në makinë. Më parakaluan dhe kur ishin paralel me mua, pashë që Xhoni ishte në timon. I qëllova makinës. Për këtë u shpalla në kërkim”, deklaroi ai.
Në dëshminë e tij, Alibej tha se gjatë kohës që ishte në kërkim, qëndronte në banesën e tij, në Durrës dhe në një fshat mes Elbasanit dhe Peqinit, tek shtëpia e Aldo dhe Kevi Bahos. Ai shtoi se në qershor të vitit 2019, Kevi Bahos ishte objekt i një atentati.
Alibej hodhi dritë edhe mbi lidhjet e grupit me persona në Angli dhe Holandë. Ai përmendi vëllain e tij, Endrit Alibej, i cili sipas tij, vijonte aktivitetin kriminal jashtë vendit dhe ishte lidhur me një partner të ri në trafikun e drogës përmes Hajdar Copjes.
Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte përfshirja e një automjeti të përshtatur për transport të lëndëve narkotike. Automjeti ishte blerë nga një person i quajtur Franci, por më pas ishte grabitur, duke shkaktuar konflikte brenda grupit.
Sipas Alibejt, “hera e parafundit që Endriti kishte ardhur në Shqipëri ishte në shtator të vitit 2018, së bashku me një shtetas turk – i njëjti që më vonë u vra në masakrën e Bradasheshit”.
Në fund të dëshmisë, ai rrëfeu se vendosi të vetëdorëzohej pas vrasjes së kushëririt të tij, Andi Zylyfi, një ngjarje që e kishte tronditur personalisht. Gjithashtu, Alibej pranoi se kishte pasur në dispozicion një radio policie, të siguruar nga një person që e njihte përmes Genc Tafilit.