EMISIONI VETTING
Për “Vetting”, Diana Bilali tregon se ideja për të marrë ish-pronat e saj rastisi me periudhën kur humbi shtëpinë te firmat piramidale. Do të ishte jetëshkrimi i gjyshit që do të shërbente për të hapur dokumentet që provonin pronësinë e Bilalit.
“Në vitin 1995, unë fillova të kërkoja pronat e nënës time, të gjyshit tim, të gjyshes time dhe të një stërgjyshi që vinte nga nëna ime, në fshatin Borsh. Në Delvinë, Sarandë, thonë që ka edhe në vende të tjera, Kavajë, Vlorë, në vende të tjera ku ka punuar gjyshi im, se ka qenë kryetar gjykate”, tregon znj. Bilali.
Rruga për të marrë ish-pronat e gjyshit ka qenë e vështirë dhe ka arritur në atë pikë sa i është rrezikuar edhe jeta. Lidhja e pronës së gjyshit me Tajar Lalën është e lidhur ngushtësisht me ish-kampin e pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë të Sarandës.
Ish-kampi i pushimit i Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh ka pasur një kompleks godinash, të rrethuara nga portokalle dhe ullinj, me një sipërfaqe rreth 4 mijë m². Në çdo sezon veror, fëmijët jetimë të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë, të shoqëruar nga edukatoret, për gati dy-tre muaj vinin në këtë zonë pranë detit për pushime.
“Kur mora këtë, shkova drejt në Sarandë dhe u thashë: shiko, kam në Këshillin e Rrethit, Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, që atëherë pluralist, ishte një grua atje që punonte, një Jorgji Duka. I thashë që kam një problem të madh, kam humbur shtëpinë në firmat piramidale.
Tani, nëse mund të ndihmohem qoftë nga ana njerëzore, qoftë edhe me këtë burim pasurie që kam, më ndihmoni ta gjej, i thashë, ku kanë qenë pronat e paraardhësve të mi.
Gjyshi quhej Mehdi Hila Borshi, ja ku e keni biografinë, stërgjyshi është quajtur Alush Hila”, tregon Diana.
Ish-pronarja shton më tej se Jorgji Duka do ta ndihmonte, por disa ditë më pas do të tërhiqej, duke sugjeruar se mund të ishte kërcënuar.
“Atëherë, kur më tha ‘keni tokën tuaj, por unë nuk mund të bëj dot gjë’, i vinin djersët, i dridheshin duart. Unë i thashë: të kanë kërcënuar? ‘Jo’, tha, ‘nuk është puna atje’.
Unë vajta në fshat, takova kryeplakun Naim Këlliçi. I thashë: unë jam filania, kam tokën time këtu, kam folur me Jorgji Dukën, më ka thënë për një pjesë që është në breg të detit, dikur thonë që ka qenë një shtëpi fëmijësh atje dhe nuk e di në ç’gjendje është. Thonë që është shkatërruar në vitin 1998”, shprehet Diana duke treguar nga biseda me kryeplakun Naim Këlliçi.
Por kryeplaku Këlliçi do të binte dakord vetëm për t’i kaluar një pjesë të tokës, edhe pse sipas zonjës Bilali ai ka pranuar që ajo është trashëgimtare e pronarëve të këtyre tokave.
“Duke u ngjitur rrugës, i them Naim Këlliçit: çfarë ke ndërmend të bësh?
Ai më thotë: nuk ta jap, Diana, do të jap vetëm 700 metra katrorë… S’të jap firmën!
Po pse? i thashë unë…
Foli me dy nga ata fshatarët dhe ata i thanë se ia japin tokën në vend, sepse e dimë kush ka qenë e veja e gjyqtarit, e bija. E lanë për 700 metra katrorë…
Tani do vemi te një grua e vjetër, te Haxho Lala. ‘Po mirë’, i thashë unë”, tha Diana në vështirësi, pasi nuk kishte mundësi të zgjidhte.
Diana Bilali rrëfen se Haxho Lala ishte gjyshja e Erilinda Lalës dhe se më pas do t’i merrte 700 metra katrorë. Mirëpo, pasi merr një pjesë të pronës së saj, Haxho Lala do t’i kërkonte ndihmë që i biri, Tajar Lala, të ndërtonte një kioskë në tokën e saj për shkak të vështirësive financiare.
Pjesë nga biseda e Diana Bilalit me Haxho Lala
“Më thotë mua tani (Nëna Haxho Lala):
– Ne tani jemi shumë keq nga ana financiare.
– Unë nuk të ndihmoj dot për vete, i thashë.
– Ta bëj një kioskë të vogël djali Tajari!
– Unë e kam provuar vetë, pa shtëpi dhe pa bukë, mund ta bëj.”
Diana shtanget kur merr vesh se Tajari, nga kioskë për të siguruar jetesën, kishte bërë hotel mbi pronën e saj. Duke parë ndërtimin pa leje, Diana tregon se me shkresa do t’i drejtohej Policisë Ndërtimore Vlorë.
Sipas vendimit nr. 122, datë 18.4.2022, asokohe Policia Ndërtimore e Vlorës kishte vendosur prishjen e objektit të ndërtuar nga Tajar Balil Lala mbi ish-Shtëpinë e Pushimit të Fëmijëve në Borsh, mbi pronën e saj.
Diana tregon se ia dërgoi këtë në vitin 2014 Drejtorisë së Policisë Ndërtimore Tiranë, por nuk u mor asnjë masë ndaj kësaj godine.


