Tabloidi britanik, “Daily Mail” i ka kushtuar një shkrim trafikantëve shqiptarë të drogës, teksa është ndalur tek vëllezërit Klevisi dhe Artur Hoxhosmani, ku përshkruhet jeta e tyre luksoze.
Teksa i referohen pamjeve të publikuara në TikTok, Daily Mail shkruan se njëri prej tij shfaqej me të dashurën, vajzën e një ish‑ministri shqiptar, ndërsa ekspozonte pasuritë.
“Vëllezërit kishin krijuar disa biznese, dhe zotëronin portofol pasurish luksi si apartamente dhe vila jo vetëm në zonat më të kërkuara të kryeqytetit Tiranë, por edhe në “Bregun e Gjelbër” pranë Jonit në Shqipëri. Njëri prej tyre kishte edhe një jaht në Dubai”, shkruan tabloidi britanik.
Më tej në artikull thuhet se “jeta e luksit duket se mori fund papritmas për të dy vëllezërit, pasi u zbulua se suksesi i tyre ishte ndërtuar mbi baza shumë më të errëta sesa ishte menduar”.
Pak javë pasi pamjet me Rolls‑Roycen u përhapën online, autoritetet shqiptare arrestuan Klevis dhe Artur Hoxhosmanin, me akuzën për drejtimin e një prej operacioneve më të mëdha të trafikimit të drogës në Evropë. Të dy u shfaqën në gjykatë në Tiranë, ku u akuzuan për komplot për trafikimin e kokainës me vlerë rreth 335 milionë paund nga Amerika Latine drejt Britanisë së Madhe dhe BE‑së.
“Prokurorët pretendojnë se vëllezërit kontrollonte një rrjet pan‑evropian të sofistikuar me të paktën 16 operativë, që vepronte në tregjet kriminale ndërkombëtare, me një prej “degëve ekzekutive” në Britaninë e Madhe. Sipas hetimeve, droga ishte fshehur në ngarkesa të ligjshme si kuti banana, çanta kakaoje dhe paleta druri, transportuar në porte në Belgjikë, Holandë ose rrugë tokësore drejt Francës dhe Britanise se Madhe. Vëllezërit dyshohen gjithashtu për pastrim parash përmes pronave të patundshme dhe investimeve të larta vlerë.
Hetuesit në Shqipëri, ku dyshja po mbahet në paraburgim në pritje të një gjyqi të plotë, kanë sekuestruar tashmë një jaht dhe një flotë makinash, duke përfshirë një Mercedes-benz AMG G63 – një SUV luksoz që shitet për më shumë se 140,000 paund, plus një Rolex dhe një orë dore Richard Mille”, shkruan Daily Mail.
Në një hetim të Daily Mail, i cili ngre edhe më shumë pyetje shqetësuese në lidhje me sistemin problematik britanik të imigracionit, u zbulua se vëllezërit ishin në gjendje të fillonin ndërtimin e perandorisë së tyre të dyshuar të drogës pasi u transferuan në Mbretërinë e Bashkuar, fillimisht si azilantë.
Ata ishte vendosur në Dorset, ku vendasit i përshkruanin si “fqinjët nga ferri”, me një nofkë që e quante Klevisin “Ali Baba” sepse bashkëpunëtorët e tij dukeshin të ishin 40 hajdutë.
Sipas hetimeve të SPAK, rrjeti kriminal trafikoi 6 tonë kokainë me vlerë rreth 411 milionë euro. Aty përmendet përdorimi i sistemit të pagesave “Hawala” dhe komunikimi përmes aplikacionit të koduar Sky ECC. Ndërsa policia britanike dhe evropiane bashkëpunuan me autoritetet shqiptare në zbardhjen e këtij rrjeti.