Gazetari investigativ Artan Hoxha, foli sot në studion e News24 për atentatin e fundit me 2 të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër.
Referuar masakrës së fundit, Hoxha tha se shumë ngjarje kriminale në qytetin e Shkodrës nuk janë zbardhur ende dhe kanë mbetur pa autorë, pasi sipas tij strukturat kanë dështuar.
Gazetari tha se grupet kriminale në Shkodër kanë lidhje me pushtetin.
“Nëse lejon që kriminelë të emërojnë deputetë, ministra etj, tregon se ata kanë lidhje me pushtetin, derisa marrin dhe fonde publike, sepse kanë marrëveshje me pushtetin. Shkodra ngjan me Palermon e viteve 80’. Strukturat tona kanë dështuar”, u shpreh gazetari.
Ai foli gjithashtu për nevojën e vendosjes së një operatori kombëtar që të zbardhë vrasjet në Shkodër.
“Shumë ngjarje në Shkodër nuk kanë autorë. Bardhok Pllana u vra dhe nuk ka autor, Mir Koçiu u vra dhe nuk ka persona të prangosur. Në Shkodër është një litar i trashë krimi…Ia kam thënë kryeministrit në sy, se Shkodra sot nuk ka problem krimin e rrugës, por krimin e organizuar. Atje po ndodh që ka viktima e të plagosur që janë krejt të pafajshëm. Duhet një operator kombëtar që të zbardhë ngjarjet në Shkodër. Nëse lejon që kriminelë të emërojnë deputetë, ministra etj, tregon se ata kanë lidhje me pushtetin, derisa marrin dhe fonde publike, sepse kanë marrëveshje me pushtetin. Shkodra ngjan me Palermon e viteve 80’. Strukturat tona kanë dështuar”, tha Artan Hoxha.