Shuhet në moshën 71-vjeçare analisti i njohur i çështjeve ndërkombëtare, Janusz Bugajski.
Lajmi është ndarë me hidhërim edhe nga miqtë e gazetarit dhe gjithashtu Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që shprehën dhimbjen e thellë për këtë humbje të parakohëshme.
Gjithashtu edhe gazetari i njohur shqiptar Elez Biberaj ka shprehur dhimbjen e tij me një postim në Facebook.
Bugajski njihej si një analist i çëshjeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre shqiptare prej më shumë se tre dekadash, ku shpesh publikonte opinione, analiza dhe komente mbi çështje të ndryshme.
Postimi i Unionit të Gazetarëve në Facebook:
“Ndërron jetë analisti i njohur Janusz Bugajski
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarësisë së vet për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të famshëm Janusz Bugajski.
Kjo është humbje e një kolegu i cili ndau me mediat dhe editorët, me kolegët dhe publikun shqiptar një kohë mbi tri dekadëshe bashkëpunimesh, informimi dhe opinionbërjeje për realitetet gjeopolitike, diplomatike në botë, rajon dhe vecanërisht në hapësirën shqiptare.
Janusz Bugajski si pakkush prej analistëve ndërkombëtarë spikati në mediat shqiptare me intervistat, opinionet dhe analizat e veta politike dhe gjeopolitike, duke shprehur qartazi pikëpamje të guximshme dhe duke nxitur mendimin kritik ndaj klasave dhe vendimmarrësve politikë e shtetërorë në shtetet ballkanike.
UGSH përcjell ngushëllimet pranë familjes Bugajski dhe miqve të tij të afërt për këtë ndarje nga jeta të këtij personaliteti të fjalës dhe analizës.
I përjetshëm kujtimi i Tij! Tiranë më 18 Tetor 2025. Zyra Informuese. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”.
“U prehtë në paqe Janusz Bugajski
Isha i tronditur dhe thellësisht i trishtuar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist i shkëlqyer i çështjeve euroaziatike, një autor i frytshëm, botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin dhe një avokat i palëkundur për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit. Ai ishte një mysafir i shpeshtë dhe i vlerësuar në transmetimet e Zërit të Amerikës, dhe pikëpamjet e tij ishin vazhdimisht të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara.
Gjatë viteve, kemi punuar së bashku në shumë projekte, veçanërisht në çështjet e Ballkanit. Arrita të admiroj jo vetëm intelektin e tij, por edhe integritetin, zgjuarsinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj vlerave që ai i mbante të shtrenjta. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të.
Do të më mungojë shumë. Pusho në paqe, Janusz”.