Seanca gjyqësore ndaj vrasësit serial të grave, Dan Hutra, është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e një anëtareje të trupit gjykues.
Nga kafazi prej xhami, Dan Hutra u është drejtuar mediave duke u thënë: ‘Mos gënjeni shumë”.
Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas në 2007, kreu dy vrasjet e para në orën 12:30 të mesditës së 1 marsit 2022 në Kodër Kamëz. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu. Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer, duke shkaktuar një masakër.
Ai vrau në oborrin e banesës së ish-bashkëjetueses së tij motrën e saj Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysën, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Jo shumë larg vendit të kësaj ngjarje, disa orë më vonë një tjetër vrasje tronditi opinionin publik.
Edhe në këtë rast viktimë u bë një grua. Ajo rezultoi të jetë Etleva Kurti, e cila u qëllua brenda oborrit të banesës së prindërve në Kamëz. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i cili po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative për grabitjen e një marketi.
Dan Hutra ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje dhe në vitin 2007 rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës.
Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie.
Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës. Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije.



