Gjykata Kushtetuese dje (19 Nëntor) shtyu për të enjten diskutimet për Sali Berishën, i cili kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi.
Kreu i PD-së kërkon shpalljen antikushtetues të vendimit të GJKKO dhe të Apelit të Posaçëm që e la atë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në kërkesën e tij, Sali Berisha shprehet se SPAK duhet të merrte autorizimin në Kuvend për masën ndaj tij. Kreu i PD-së, Sali Berisha ndodhet prej 30 dhjetorit 2023 nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani” dhe të kërkesat e tij për lirim janë rrëzuar nga shkallët e gjyqësorit.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama.
Kryetari i PD, Sali Berisha, kërkon rrëzimin e masës së parë të vendosur ndaj tij nga SPAK-u, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Sipas liderit të opozitës, masa është e paligjshme, pasi prokuroria duhet të kërkonte autorizim nga Parlamenti. Në mënyrë që Sali Berisha të fitojë, duhet që nga trupa prej 8 anëtarësh 5 gjyqtarë të votojnë pro tij.
Me të njëjtën kërkesë, Gjykatës Kushtetuese iu drejtuan një vit më parë edhe deputetët e PD-së, por kushtetuesja nuk i legjitimoi. Lideri i opozitës Sali Berisha ka goditur masën e sigurisë të vendosur ndaj tij në të gjitha shkallët, por gjyqtarët i kanë dhënë të drejtë SPAK. Një vit më parë gjykata e posaçme vendosi ndaj Sali Berishës masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të udhëtuar jashtë vendit. Berisha refuzoi ta zbatojë këtë masë ndaj në 30 dhjetor gjykata ashpërsoi masën e sigurisë duke e vendosur kryetarin e PD në arrest shtëpie.
6 muaj para zgjedhjeve parlamentare kushtetuesja është një ndër të paktat mundësi që Sali Berisha të lirohet. Një skenar tjetër që ekipi mbrojtjes i Berishës po sheh është ti kërkojnë gjykatës së shkallës së parë të heqë masën e sigurisë, pasi hetimi ka përfunduar e çështja ka shkuar për gjykim. Kryetari i PD Sali Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit në çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Në lidhje me shtyrjen e djeshme të vendimit nga ana e gjykatës kushtetuese, deputeti i PD-së Tritan Shehu shprehet se çështja Berisha me siguri do të gjejë zgjidhjen në përputhje me të vërtetën dhe realitetin.
“E vërteta del, edhe kur vonohet! Largimi i “mjegullnajave”, i “hijeve” të krijuara ndesh apo për të fshehur të vërtetën, është një proces, bëhet gradualisht. Dhe tashmë ky proces për të vërtetën mbi “çështjen” Sali Berisha po zhvillohet. Rezoluta e fundit e CDI në lidhje me deformimet e thella të demokracisë në Shqipëri, izolimit politik të Sali Berishës, është pjesë e atij procesi, të pa evitueshëm e të domosdoshëm tashmë. Kjo sepse dhe kushtet për diçka të tillë po konfigurohen plotësisht. Fakti, që dhe Sekretari i Shtetit, i përcaktuar tashmë, është sensibël e i vendosur për të “gërmuar” në dosjet e “Non gratave”, në funksion të së vërtetës dhe interesave të ShBA-ve, jep shumë garanci.
Pikërisht për ecurinë e këtij procesi, vendosjes në vend të së vërtetës. Dhe pa asnjë dyshim, cështja “Berisha” do të gjejë shpejt zgjidhjen e saj në përputhje me të vërtetën dhe realitetin. “Kambanat po bien” për mirë! Por do të ishte në nderin e Drejtësisë Shqiptare, që tashmë të ndërmarrin hapat e nevojshme, për të korrigjuar shtrembërimet fundamentale të principeve të një drejtësie europiane. Përpara se këtë ta bëjnë të tjerët”, shprehet deputeti i PD-së.
/Gazeta Panorama