Një shqiptar 40-vjeçar është arrestuar nga Policia Italiane në periferi të Primavalles, në kompleksin famëkeq të banesave Bastogi, pasi drejtonte një aktivitet të mirëorganizuar trafiku droge, pavarësisht se ndodhej nën arrest shtëpiak.
Burri kishte kthyer banesën e tij në një qendër shitjeje dhe përpunimi droge, duke pritur klientët e tij në një derë pranë daljes së emergjencës së pallatit, të cilët kontrolloheshin më parë nga “rojet e lagjes” që kujdeseshin të mos kishte të panjohur apo agjentë civilë mes tyre.
Pasi klientët jepnin porosinë, shqiptari futej në shtëpi dhe kthehej me dozat e drogës gati për shitje, pa u larguar asnjëherë nga banesa,
Policia italiane kishte vëzhguar prej ditësh lëvizjet e dyshimta në hyrje-daljet e apartamentit dhe, pas një operacioni të befasishëm, bastisi banesën me ndihmën e njësive të qenve antidrogë.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan mbi 1 kilogram drogë (kokainë, ketaminë dhe crack), të ndara në doza gati për shitje, si dhe pajisje për përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike: peshore precize, qese vakumi, fletë alumini dhe bikarbonat sode.
Po ashtu, policia gjeti dy telefona të koduar dhe një regjistër të plotësuar me dorë, ku mbaheshin shënime të detajuara mbi sasi droge, emra të koduar të klientëve dhe borxhe të papaguara.
Në një sirtar u zbuluan 5,000 euro cash, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme, që dyshohet të jenë të ardhurat nga shitja e drogës.
Pas arrestimit, 40-vjeçari shqiptar u dërgua në burgun Regina Coeli dhe do të përballet me akuza për trafik narkotikësh dhe shkelje të masave kufizuese të arrestit shtëpiak.