Edhe pse për vite me radhë shqiptarët që jetojnë në Greqi kanë kërkuar të drejtat e tyre si pjesë e një minoriteti të konsiderueshëm, kjo nuk është pranuar nga shteti grek.
Por dje për herë të parë në Kuvendin e Greqisë është folur për pakica kombëtare vllahe, shqiptare dhe sllavomaqedonase. Kjo ka ndodhur gjatë një debati në Kuvendin grek më 8 prill 2022. Ishte deputetja e “Mera 25” në Parlamentin grek, Sofia Sakorafa, e cila përmendi shqiptarët si pakicë në Greqi.
Deklarata e saj ka shkaktuar zemërim të madh brenda Greqisë, ku shumë politikanë i kanë dalë kundër. Madje komuniteti vlleh nënshkroi edhe një peticion kundër deputetes pasi nuk ishin paraqitur numrat real të këtij komuniteti.
Deputetja konkretisht gjatë fjalës së saj në Kuvend duke folur për një minoritet “vlleh”, “shqiptar” dhe “sllavo-maqedonas” në Greqi, ka kërkuar që gjuhët e tyre të mësohen në shkollat e vendit.
Deklaratat në fjalë:
“Ne kemi detyrimin që në procesin arsimor, në shkolla, t’u japim minoriteteve mundësinë të përjetojnë diversitetin dhe traditën e tyre gjuhësore. Një parantezë këtu: Së fundi, shteti grek ka detyrimin të kapërcejë trajtimin fobik dhe kompleks të gjuhëve dhe kulturës së veçantë të komuniteteve të tij. Solidariteti kombëtar dhe ekzistenca e kombit nuk kërcënohet as nga ata, as nga vllehët, as shqiptarët (arvanitasit) e as sllavomaqedonasit. Dhe askush nuk ka të drejtë të krenohet me historinë e shtetit grek në këtë fushë” u shpreh deputetja




