Ndonëse në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria renditet ndër vendet që ka produktiviteti më të ulët në Europë, sidomos për sipërmarrjet e mëdha, punonjësit shqiptarë rezultojnë që kanë orë shumë më të gjatë të punës në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe në nivele të ngjashme me Ballkanin e Turqinë.
Sipas të dhënave të INSTAT, që janë të disponueshme deri në vitin 2024, një punonjës shqiptar punonte 41.3 orë në javë, nga 41.6 orë vitin e mëparshëm. (Për të punësuarit me pagë, orët totale të punës janë më të larta, duke arritur në 43.6).
Të dhënat e tjera të Eurostat, që i përkasin vitit 2025 tregojnë se në Europë kryeson Turqia, me 42.8 orë në javë. Mali i Zi është i dyti me 42.3 orë, por të dhënat më të fundit i përkasin vitit 2020.
Bosnjë Herecegovina vijon me 40.9 orë, e ndjekur në rajon nga Serbia me 40.6. Orët më të ulëta në rajon i kanë punonjësit e Maqedonisë së Veriut (39.5). Nuk ka të dhëna për Kosovën.
I gjithë rajoni punon me orë më të gjata se shtetet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, në vitin 2025, orët aktuale javore të punës për punonjësit me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme në Bashkimin Europian (BE), të moshës 20-64 vjeç, në punën e tyre kryesore, ishin mesatarisht 35.9 orë.
Orët mesatare aktuale të punës në javë ndryshojnë midis vendeve të BE-së. Javët më të gjata mesatare u regjistruan në Greqi (39.6 orë), e ndjekur nga Polonia dhe Bullgaria (38.7 orë secila), Lituania (38.4 orë) dhe Sllovenia (38.3 orë).
Në të kundërt, javët më të shkurtra ishin në Holandë (31.9 orë), Gjermani dhe Danimarkë (33.9 orë secila) dhe Austri (34.0 orë).
Shqipëria ka produktivitet të ulët, sidomos për ndërmarrjet e mëdha
Sipas të dhënave të tjera, një studim i OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) gjeti se produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV) në Shqipëri është sa 29% e mesatares së BE sipas të dhënave që i takojnë vitit 2023.
Sipas krahasimeve të OECD-së një punonjës në një NVM shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në ndërmarrjet e mëdha kjo shifër rritet në 19,645 euro.
Në BE një punonjës nga NVM-të kap vlerën e 52,000 eurove për person dhe 87 mijë euro për bizneset e mëdha. Si rrjedhojë, produktiviteti i sipërmarrjeve të mëdha në Shqipëri është më i ulët se atyre të vogla e të mesme, me një prodhim sa 22.6% e mesatares së ndërmarrjeve të mëdha në BE.
Ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri renditen jo vetëm sa një e pesta e mesatares së BE-së, por kanë dhe produktivitetin më të ulët në rajon. Kryesimin e mban Serbia, me 31.4 mijë euro/person, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut, me 21.6 mijë euro.


