Këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtari i këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti, dënoi sjelljen e administratës tatimore dhe qeverisë ndaj biznesit dhe veçanërisht goditjen që po i bëhet aktivitetit të “Birra Korça” së fundmi.
I ftuar në studion e News24 ditën e sotme (27 maj), Teliti iu referua rastit të sulmit ndaj “Birra Korça”, birra historike dhe marka më e vjetër e birrës vendase, duke vënë në dukje se në vend që shteti t’i ndihmojë këto sipërmarrje që kanë qindra të punësuar, i sulmon.
Drejtoria e Tatimeve goditi përmes bllokimit të llogarive bankare shoqërinë më të vjetër të birrës në Shqipëri dhe një nga tatimpagueset më të rregullta në shtet.
“Nuk është se jemi ndër vendet e klimën e biznesit të dobët, por jemi të fundit. Kjo është ndër këmbanat e alarmit që bie prej vitesh. E kemi dëgjuar në çdo raport zyrtar. Jemi shumë larg dhe rajonit. Në sytë e investitorëve të huaj dhe vendas, Shqipëria është vendi më i vështirë që të bësh biznes. Qeveria e sheh si një kasafortë për të përfituar biznesin. Shpesh herë dhe e sulmon. Biznesi në Shqipëri është redaktuar. Arsyeja është; biznese që mbyllen se nuk ia dalin dot dhe biznese që hapen se kanë mbështetje dhe njohje. Nuk ka siguri që të bësh biznes. Ka disa instrumente që nuk zbatohen, siç janë këshillimet, por ato nuk ekzistojnë. Strukturat tatimore duhet të këshillojnë, jo çdo biznes mund të jetë i njohur me këto ndryshime ligjore”, tha ai mes të tjerash.
Teliti pohoi se qeveria duhet të bëjë transparencë për këtë çështje, si dhe të publikohen procesverbalet në këtë rast, nëse ka pasur njoftime këshillimi, apo paralajmërimi.
Sipas Telitit, nuk duhet të aplikohen vetëm masa e fundit, siç janë gjobat, por ndaj biznesit duhen ezauruar format e tjera më të buta siç është këshillimi apo edhe paralajmërimi.
“Strukturat shtetërore e kanë për detyrë që të mos kalojnë te hapi i fundit, por duhet të shohin dhe hallkat e tjera. Siç ndodhi rasti i Birrës Korça, që u godit para disa ditësh në mënyrë të padrejtë. Biznes 30-vjeçar, markë historike. Qeveria shqiptare e dërrmoi biznesin vendas të birrës me atë të importit. U godet birra vendase dhe falimentua biznesin vendas. U godit një biznes që ka të punësuar mbi 100 familje në punë prej vitesh, ka paguar qindra miliona euro taksa ndër vite. Ai godet në mënyrë të pamëshirshme. Çdo të thotë kjo goditje? Cilat janë arsyet e goditjes, pse nuk bëhen publike? Pse nuk bëhen të ditura procesverbalet, nëse ka pasur, të këshillimit, që nuk ka pasur fatkeqësisht, të udhëzimit, të paralajmërimit?! Pse shkohet deri te masa ekstreme?!”, nënvizoi ai.
Teliti vuri theksin te sjella agresive e shtetit ndaj biznesit, duke përdorur gurin dhe arrën, teksa vendi shpopullohet çdo ditë dhe ekonomia ka rënë.
“Shteti ka dhe gurin dhe arrën, por këtu bëhet diferenca. Nuk zhvillohet vendi kështu, por shpopullohet. Jemi vendi me pagat dhe pensionet më të ulëta në botë”, u shpreh ai.


