Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i pranishëm në aktivitet tha se fëmijët shqiptarë kanë shumë dëshirë ta mësojnë gjuhën turke me kujdes dhe me dashuri të veçantë
Në Tiranë është organizuar ceremonia e ndarjes së certifikatave për programin e kursit të gjuhës turke për fëmijët jetimë dhe për fëmijët e familjeve në nevojë në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, përfaqësues të institucioneve vendore të Tiranës, nxënës dhe prindër.
Gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet, ambasadori Yörük u shpreh se gjatë viteve të punës së tij në Shqipëri ka vënë re që fëmijët shqiptarë kanë shumë dëshirë ta mësojnë gjuhën turke. Ai u shpreh se jo vetëm fëmijët e shkollave fillore, të shkollave të mesme, por edhe në universitete, e “mësojnë këtë gjuhë me kujdes dhe me dashuri të veçantë.”
“Shqipëria dhe Turqia, duke qenë se kanë një histori qindravjeçare janë bërë tashmë dy vende të cilat kanë një lidhje të veçantë vëllazërore. Një nga gjërat që e bën këtë lidhje kaq të veçantë është marrëdhënia midis nesh e cila krijohet me anë të mësimit të gjuhëve nga të dyja palët”, u shpreh ambasadori turk.
Yörük tha se vëllezërit shqiptarë dhe gjithashtu të vendeve të tjera ballkanike janë bërë pjesë e kulturës turke edhe duke vizituar Turqinë.
“Ne kemi vendosur që gjuha shqipe të jetë një lëndë me zgjedhje për nxënësit në shkollat turke. Në vitin 2021 u nënshkrua një marrëveshje me palën shqiptare për ta përfshirë edhe gjuhën turke si një lëndë me zgjedhje për fëmijët që duan të ndjekin atë në shkollë dhe jo vetëm falë kurseve”, tha Yörük.
Ambasadori turk shtoi se Ministra e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë pas kësaj marrëveshjeje ka filluar punimet dhe pritet që në vitin shkollor 2022-2023 gjuha turke do të hyjë në shkolla si një lëndë me zgjedhje.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, gjatë fjalës së tij u shpreh se prej vitesh fondacioni që ai drejton organizon kurse të gjuhës turke, me mbështetjen e institucioneve turke.
“Dua të falënderoj ambasadën e Turqisë për mbështetjen që i ka dhënë fondacionit tonë në të gjitha fushat, por veçanërisht atë të arsimit. Që prej pesë vitesh fondacioni ynë jep kurse për mësimin e gjuhës turke dhe angleze pa pagesë për jetimët që janë të regjistruar në këtë fondacion dhe kurset e gjuhës turke realizohen falë mbështetjes që ka dhënë Ministria e Arsimit e Turqisë”, tha Gurra.
Gjatë aktivitetit, me rastin edhe të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, u mbajt edhe një program artistik me këngë, valle dhe lojëra zbavitëse.
Kursi njëvjeçar për vitin shkollor 2021-2022 është ndjekur nga rreth 150 fëmijë në Tiranë dhe Kukës, organizuar nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bashkinë Kukës dhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë.