Një shpërthim me lëndë plasëse është shënuar orëve të para të së djeshmes në një apartament në qendër të Elbasanit.
Në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona brenda banesës dhe policia bëri me dije se ka vetëm dëme materiale. Mirëpo menjëherë sapo është shkuar në vendin e ngjarjes, është kërkuar që të hapen kamerat për të parë lëvizjet në zonë para dhe pas ngjarjes, por policia nuk ka mundur të shquajë asnjë të dyshuar. Për pasojë është nisur me pyetjen e personave që kanë lidhje me kryefamiljarin, të cilit i përkiste edhe banesa së cilës iu kishte vënë tritoli.
Por, policia saktësoi se zbuloi se nga hetimet se bëhet fjalë për një inskenim shpërthimi nga ana e vetë pronarit Arbër Pepa, i cili u arrestua në përpjekje për t’u arratisur nga vendi, me destinacion Greqinë.
I shoqëruar është edhe nipi i tij, i akuzuar se bashkëpunoi në ngjarje. Skema e inskenimit është rrëfyer po nga nipi pas shoqërimit, duke treguar edhe lokalitetin e xhaxhait të tij dhe kapjen pas mesnatës (midis natës së 30 prillit dhe mëngjesit të 1 majit).
“Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen “Partizani”, në katin e parë të banesës së shtetasit A. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, – njofton policia.
HETIMET
Burime zyrtare bëjnë me dije se tritoli i vendosur në banesën në lagjen “Partizani” është ideuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa. Në bashkëpunim me nipin e tij kanë vendosur tritolin me qëllim përdorimin e ngjarjes si arsye për të përfituar azil në vendet e BE. Policia e Elbasanit zbardhi edhe detaje nga operacioni i koduar “Inskenimi” dhe pamje të arrestimit të Pepës, teksa informacionet e mbledhura edhe nga inteligjenca informative ndihmuan në zbulimin e shpejtë të autorëve dhe motiveve.
Arbër Pepa ka kaluar kufirin për Greqi pak para mesnate së bashku me gruan dhe fëmijën. Në atë moment, nipi ka vendosur tritolin. Policia konfirmon se po heton këtë pistë. Policia e Elbasanit zbardhi detaje nga ngjarja e ndodhur mesnatën e djeshme në lagjen “Partizani”, ku pati shpërthim tritoli në një banesë dhe aktualisht janë të arrestuar si autorë për inskenim xhaxhai dhe nipi i tij. Gjithashtu u publikuan edhe pamje nga momenti i arrestimit të Arbër Pepës gjatë operacionit të koduar “Inskenimi”, i cili kishte qëllim marrjen e azilit me familjen në Greqi, duke porositur eksplozivin në banesën e tij.
Policia sqaron se përveç 43- vjeçarit Pepa u prangos edhe nipi i tij,. E.T., 18 vjeç, që e ndihmoi, i cili gjithashtu pas shoqërimit tregoi skemën për hetuesit. Zyrtarisht policia bëri me dije se “shtetasi A. P. dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive para banesës së tij në bashkëpunim me nipin, shtetasin E. T., me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e BE-së. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”. /Gazeta Panorama