Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka kaluar për gjykim çështjen ndaj ish-presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, arrestuar më 14 qershor, dhe ish-zv.presidentes me iniciale A.G., të dyshuar për një sërë veprash penale në kuadër të abuzimit me detyrën.
Të dy akuzohen për “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në bazë të hetimeve të organit të akuzës, denoncimi ndaj Dedës është bërë nga një ish-anëtar i institucionit, i cili ka pretenduar se ky i fundit kishte rritur në mënyrë të pajustifikuar buxhetin e Urdhrit të Stomatologut gjatë viteve, me qëllim përfitimesh personale.
Sipas Prokurorisë, gjatë ushtrimit të funksionit si president i USSH-së, Deda dyshohet se ka punësuar familjarë pa kritere ligjore dhe ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në proceset vendimmarrëse të Këshillit Kombëtar, prej vitit 2016 e në vazhdim. Po ashtu, ai akuzohet për përdorim të fondeve të institucionit pa dokumentacion justifikues, duke kryer pagesa fiktive për familjarët ose të tretë, shpeshherë nëpërmjet bileta udhëtimi dhe procedurash të tjera financiare të dyshimta.
Ndërkaq, zv.presidentja me iniciale A.G., rezulton se ka vijuar të ushtrojë funksionin e saj dhe të marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024, pavarësisht se emërimi i saj ishte bërë në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, të datës 7 shkurt 2020, sipas së cilit Urdhri i Stomatologut ndodhej nën masë sigurimi juridik.
Kjo shtetase, sipas Prokurorisë, ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm përtej afatit dhe kompetencave të lejuara ligjore, duke shkelur kriterin që shpenzimet të mos e kalojnë 1/12 e buxhetit të vitit paraardhës.
Të dy të pandehurit pritet të dalin në gjykim për t’u përballur me akuzat, ndërkohë hetimet kanë evidentuar një seri shkeljesh të dyshuara që lidhen me menaxhimin financiar dhe vendimmarrjen në institucionin e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq ish-presidentin dhe zv.presidenten e Urdhrit të Stomatologut për tre vepra penale
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit N.D. dhe A.G. për veprat penale ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’ të parashikuara nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.1218, viti 2025, rezultoi se ky shtetas i denoncuar nga shtetasi A.G. në Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për shpërdorim të fondeve, ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit për përfitime personale.
Shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Pavarësisht se u mor i pandehur, ai ndërmori veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shtetasi N.D. ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhërit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal
Edhe shtetasja A.G., nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore. Shtetasja A. G. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi. Kj shtetase ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij ku shpenzimet nuk duhet të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës dhe ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke u bërë subjekt i kryerjes së veprave penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuara nga nenet 248 dhe 321 të Kodit Penal.