Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë ka kërkuar sërish shtyrjen e rifillimit të mësimit. Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri është shprehur për “Ekonomia Online”, se shtyrja e vitit shkollot është bërë me qëllim që të ruhen nxënësit dhe mësuesit.
“Pas rekomandimeve të IKSHPK-së të cilët Ministria e Arsimit i ka shndërruar si obligative për t’u zbatuar nëpër shkolla tona dhe pas një vlerësimi që kemi marrë me drejtorë komunal, kemi vërejtur nuk janë përgatitjet e nevojshme që të zbatohen masat dhe rekomandimet e IKSHPK-së, pra kemi bërë apel te MASh për një mirëkuptim të shtyrjes të vitit të ri shkollor në mënyrë që të përmbushen të gjitha rekomandimet e dhëna nga institucioni shëndetësor”, u shpreh Ymeri.
Më tej ai tha se është më mirë që procesi mësimor të shtyhet për 14 ditë, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme.
“Në një takim që kemi mbajtur dje ku kanë qenë shumë akterë aty dhe pas një diskutimi të gjatë kemi ardhur në përfundim se më mirë është që të shtyhet procesi mësimor për 14 ditë”, u shpreh ai.
Ymeri shton, se asnjë shkollë nuk ka dezinfektues për duart dhe se kontraktimi me kompanitë po u merr shumë kohë. Njëkohësisht ai ka kërkuar edhe një listë rezervë të mësuesve, në rast se do të sëmuret ndonjë pre tyre. Në fund Ymeri është shprehur, se nëse nuk plotësohen kriteret deri më 14 shtator, do të kërkohët që të mos fillojë mësimi, pasi nuk dëshiron që shkollat të kthehet në vatra të COVID-19.