Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri, është paraqitur sërish sot në ambientet e SPAK, ku është njohur zyrtarisht me akuzën ndaj tij për shkelje të barazisë në tendera.
Një javë më parë, Myzyri u mor i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, pas përfundimit të një hetimi pesëvjeçar. Sipas burimeve nga SPAK, hetimet ndaj tij nisën në vitin 2020, në kohën kur ai mori detyrën si kryetar i KPP-së, për shkak të dyshimeve se kishte ndikuar në vendimmarrjen e anëtarëve të tjerë të Komisionit në shqyrtimin e ankesave për tenderë.
Çështja është transferuar në SPAK nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda dhe lidhet me procedurën e prokurimit të shpallur në vitin 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), me objekt:
“Mirëmbajtje rutinë me performancë në segmentin Rrëshen (U.Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Benë – K. Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me një fond limit prej 219.8 milionë lekësh.
Myzyri dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në këtë procedurë dhe gjithashtu është nën hetim për disa raste të tjera të ngjashme.
Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve, me rol kryesor në shqyrtimin e ankesave lidhur me tenderët publikë, koncesionet, partneritetet publike-private, ankandet dhe lejet minerare. Ai përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.