Koronavirusi ka shkaktuar frikë dhe panik në mbarë botën për shkak të rrezikut shëndetësor dhe seriozitetit të infektimit të mushkërive. Efekte negative ka shkaktuar edhe në ekonomi, duke bërë që vlera e tregjeve të aksioneve të zvogëlohet. Megjithatë, koronavirusi ka ndikuar në rritjen e shitjes së lojërave “online” dhe aplikacioneve për video të shkurtra.
Kinezët zakonisht udhëtojnë dhe bashkohen me familjet e tyre gjatë festës tradicionale të Vitit të Ri Kinez, por shumë njerëz i anuluan planet për këtë vit shkaku i frikës nga përhapja e virusit.
“E përdor telefonin vetëm tri orë në ditë kur jam në punë, por së paku tetë orë në ditë gjatë Festivalit të Pranverës, sepse dita është shumë e mërzitshme”, tha Lu Zhang, mësues në një shkollë të mesme në provincën Shadong.
Kështu, vlera e aksioneve të kompanive që hedhin në treg lojëra të internetit shënoi rritje për dy për qind në Hong Kong, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Rritje shënuan edhe platforma Bilibili, makina kërkimore Baidu dhe gjiganti i tregtisë elektronike, Alibaba.
Gjatë kësaj kohe, kur njerëzit po qëndrojnë kryesisht të mbyllur në shtëpitë e tyre, janë popullarizuar edhe aplikacionet për shëndet dhe fitnes.