Janë zhvilluar ditën e sotme, 11 maj, seancat për caktimin e masës së sigurimit ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruçi alias Viktor Ruçi, të përfshirë në konfliktin që degjeneroi në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Gjashtë të Sarandës pak ditë më parë.
Sipas hetimeve paraprake, shkak i përplasjes mes palëve ka qenë një konflikt pronësie për një “Beach-Bar” në bregdetin e Bashkisë Himarë. Sherri mes tyre ka agravuar fillimisht në dhunë me sende të forta dhe më pas në përdorimin e armëve, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Ismaili, mbrëmjen e 7 majit.
I pari që u paraqit para Gjykatës ishte 50-vjeçari Tori Ruçi, i ndaluar nga policia të shtunën, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjatë seancës për verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vazhdimin e masës “Arrest në shtëpi”, duke detyruar të dyshuarin të mos largohet nga banesa e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës. Burime nga hetimi bëjnë me dije se Ruçi rezulton i dënuar edhe më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Pas përfundimit të kësaj seance, prokurorja e çështjes Armida Kaçi dhe gjyqtari Mikel Hysometaj u zhvendosën në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku ndodhet i shtruar nën masa të rrepta sigurie 31-vjeçari Kostandin Vogli, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë gjatë konfliktit.
Prokuroria kishte ngritur ndaj tij tre akuza: “Moskallëzim krimi”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosje” kryer në bashkëpunim.
Në përfundim të seancës, gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e prokurores Armida Kaçi, duke caktuar ndaj 31-vjeçarit masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Megjithatë, edhe pse masa u vendos mbi bazën e akuzave të ngritura nga Prokuroria, Gjykata mbajti një qëndrim ndryshe sa i takon cilësimit juridik të ngjarjes.
Sipas Gjykatës, bazuar në aktet e paraqitura deri në këtë fazë të hetimit, vepra penale duhet të cilësohet si “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si edhe “Moskallëzim krimi” dhe “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim.
DINAMIKA E NGJARJES SIPAS POLICISË
Sipas deklaratës zyrtare nga polica, Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e Rexhep Ismailit dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë përplasjes, viktima Rexhep Ismaili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj grupit të Tabakut, ndërsa më pas është qëlluar me pistoletë nga ky i fundit, duke humbur jetën në vend.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli, i cili është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet është zbuluar se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, i cili është proceduar penalisht, ka fshehur armën zjarri automatike me të cilën qëlloi vëllai i ndjerë, së bashku me municion, e cila më pas është sekuestruar nga policia.
Deklarata e plotë e drejtorit të policisë Vlorë
Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.
Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit: Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima, Rexhep Ismaili, ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt.
Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Rexhep Ismaili, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli.
Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi Hajredin Ismaili, ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi Lulzim Tabaku. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:
Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Idriz Çela, 40 vjeç, Eljo Muço, 19 vjeç, Kostandin Vogli, 31 vjeç, Marjo Agalliu, 22 vjeç dhe Ermal Shkalla, 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Si dhe u proceduar penalisht shtetasi Hajredin Ismaili 60 vjeç, vëllai i viktimës.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.
Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.
Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.


