Babai i 15-vjeçarit të plagosur rëndë me thikë në zemër gjatë një sherri me bashkëmoshatarët e tij në Durrës disa ditë më parë, ka zbuluar gjenden shëndetësore të të birit, i cili ndodhet në intubim.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ai tregoi se djali i tij është ende në intubim dhe mjekët po presin reagimin e trurit që të dalë nga kujdesi intensiv.
Ai u shpreh se mjeku i zemrës është shprehur se prametrat janë optimale dge se pas daljes nga intubimi do të shohim dëmtime në zemër apo në tru.
“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës. Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve”, tha ai.
Ndër të tjera, babai i adoleshentit është shprehur se sherri mes tyre ka nisur pas një përplasje që ata kanë pasur në rrjetet sociale, konkretisht “TikTok”.
“Gruaja është në gjendje jo të mirë, herë qan, herë e mban veten, por na mban besimi te Zoti. Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër”, tha ai.
Burime për Panorama Online bëjnë me dije se përplasja nisi fillimisht në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve, duke përfunduar më pas në një sherr masiv mes dy grupeve adoleshentësh.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës, ku të miturit kishin lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u “sqaruar” pas debateve online.
Të dy adoleshentët mbërritën në vendin e takimit të shoqëruar nga miq të tjerë dhe pas debatit me tone të ashpra situata degjeneroi në përleshje fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta.
Gjatë konfliktit, 14-vjeçari me inicialet M.K. ka goditur me thikë katër herë 15-vjeçarin, duke e plagosur rëndë.
Autori i dyshuar është arrestuar nga Policia e Durrësit, ndërsa 15-vjeçari ndodhet në Spitalin Rajonal në gjendje të rëndë.
NJOFTIMI I POLICISE
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.


