Një sherr i dhunshëm ka ndodhur pas mesnate në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku një konflikt i nisur për shkak të një borxhi, ka degjeneruar në dhunë me armë zjarri dhe sende të forta.
Në ngjarje janë përfshirë 12 persona të identifikuar deri tani, përfshirë katër efektivë policie, një ish-punonjës policie dhe dy persona të dëmtuar.
Sipas burimeve, të lënduar kanë mbetur vëllezërit Enea dhe Albi Nexhipi, të cilët pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës janë shoqëruar në Komisariat.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete dhe dy automjete të dëmtuara. Policia ka ndërhyrë menjëherë, por personat e përfshirë janë larguar.
Nga hetimet paraprake dhe pamjet filmike, janë identifikuar disa prej të përfshirëve, mes tyre:
Alvaro Sulejmani, efektiv i Policisë Himarë;
Kidi Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë;
Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë Tiranë;
(Alavro, Kidi dhe Redi Sulejmani, të tre vëllezër)
Ergis Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë;
Igli Duka, ish-efektiv i Policisë Sarandë, i njohur për një arrestim në Skoci për kultivim të lëndëve narkotike.
Pjesë e konfliktit janë edhe persona të tjerë nga fiset Sulejmani dhe Duka, si dhe një shtetas me mbiemrin Cocka. Deri më tani, janë dorëzuar vullnetarisht në Komisariat Alvaro Sulejmani dhe Beqir Cocka, ndërsa është paraqitur edhe Mihal Sulejmani.
Policia po vazhdon hetimet, duke këqyrur kamerat e sigurisë dhe vendin e ngjarjes, ndërkohë që kontrollet vijojnë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë.