Policia ka arrestuar vëzhguesin, i cili dyshohet se është i Partisë Socialiste, dhe që ditën e djeshme dhunoi sekretarin e KZAZ 30 me grushte dhe shqelma brenda ambienteve të qendrës së numërimit të votave.
Në pranga ka rënë 26-vjeçari me iniciale R. N., ndërsa është shpallur në kërkim 40-vjeçari me iniciale O. D., i dyshuar gjithashtu për përfshirje në konflikt.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin R. N., 26 vjeç, pasi dje, në KZAZ Nr. 30, ka goditur me grushte dhe shkelma shtetasin R. M., me detyrë sekretar i KZAZ. Gjithashtu, në lidhje me rastin është shpallur në kërkim shtetasi O. D., 40 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt. Punohet për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit;
Dhuna në KZAZ nr. 30 në Kashar, KQZ revokoi akreditimin e vëzhguesve
Një incident i rëndë u regjistrua një ditë më parë në KZAZ nr. 30 në Kashar, ku sekretari i kësaj strukture, Remzi Mehmeti, u godit me grusht nga disa persona brenda ambienteve të qendrës së numërimit të votave.
Në një deklaratë për mediat, Mehmeti tregoi se konflikti nisi pas kontestimit të një vote që, sipas tij, i përkiste kandidatit të PS-së, Orlando Rakipi. “Vota ishte e pakontestuar. Vëzhguesit reaguan me forcë, ngritën zërin dhe më ofenduan. Kur paralajmërova largimin e tyre nga KZAZ, kaluan perimetrin e sigurisë dhe më goditën. Pamjet janë publike,” deklaroi ai, duke shtuar se ka bërë kallëzim penal dhe çështjen e ka në dorë policia.
Në lidhje me këtë incident, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për revokimin e akreditimeve të të gjithë vëzhguesve të KZAZ nr. 30, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe vendimin nr. 23, datë 1.2.2023, për kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.
Vendimi parashikon që për çdo tavolinë numërimi të caktohet nga një vëzhgues për çdo subjekt zgjedhor, dhe në rastin e koalicioneve deri në tre vëzhgues. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së. Palët e prekura kanë të drejtë ankimi brenda tre ditëve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.