Shkrimtari Rexhep Qosja duket se e ka pjesë të karakterit dëshirën për t’u bërë shërbëtor i pushteteve. E kishte nisur me hymnet për Josip Broz Titon kur me “penën e mprehtë” ia numëronte meritat për “çlirimin e popujve të Jugosllavisë”, duke vazhduar me konformizmin ndaj koniukturës komuniste në Kosovë në krye me Fadil Hoxhën, për të vazhduar me elozhetë për Hashim Thaçin, i cili si shpërblim ia ndante qindra – mijëra euro për të financuar ribotimin e veprës së tij. Duket se dëshirë për t’u bërë palaço i pushteteve nuk po i venitet as një moshë të shtyrë. sot në një postim në Facebook ka sulmuar Gazetën Express dhe T7 për urrejtje shoveniste ndaj Shqipërisë, vetëm pse mediumet tona raportojnë në mënyrë kritike për Kryeministrin Edi Rama rreth qëndrimeve të tij për korrigjimin e kufijve dhe minishengenin që shteti i Kosovës e ka refuzuar me arsyetimin se është një përpjekje për Jugosllavi të re.
Por, duket se nga dëshira për të bërë propagandë, për ta bërë shërbëtorin Qosja nuk i bënë këto dallime. Ai përzien Shqipërinë me Edi Ramën të cilit po i shërben haptazi kush e di edhe për çfarë arsye tjera.
“Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!” shkruan Qosja.
Sipas tij, qëndrimet ndaj Edi Ramës kanë për qëllim zhbërjen e shtetit shqiptar të cilën e kanë dëshiruar Pashiqi, Rankoviqi e Millosheviqi. Është interesante që me këtë trinom emrash, Qosja e lë jashtë Titon, të cilit i ka shërbyer.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e “disidentit” të njohur Rexhep Qosjes.
URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA
As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.
Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!
Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.
Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!
Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!
Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.
Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!
Rexhep QOSJA