Shembja e një shpatit shkëmbor në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës ka mbajtur të bllokuar për më shumë se tetë orë mijëra qytetarë në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas. Për situatën e krijuar ka reaguar sot drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli.
Sipas Kozelit, shembja është një fenomen natyror, i shkaktuar nga mbingopja e malit me ujë, dhe nuk lidhet me punimet që po kryhen në këtë segment rrugor. Ai theksoi se, pavarësisht se trasa e re kalon mbi malin ku ndodhi rrëshqitja dhe mjetet e rënda janë çdo ditë në terren, ndërhyrjet nuk kanë ndikuar në destabilizimin e masivit shkëmbor.
“Kemi konstatuar edhe me sy të lirë se mali është i mbingopur nga uji, çka ka sjellë shembjen e shpatit. Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po kryhen në këtë segment,” deklaroi drejtori i ARRSH, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe mediat.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë punën për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e zonës, ndërsa Policia Rrugore dhe shërbimet në terren po ndihmojnë drejtuesit e mjeteve të përdorin akse alternative në drejtim të Korçës dhe Elbasanit. Situata mbetet e vështirë, por pritet që qarkullimi të normalizohet gradualisht në orët në vijim.


