Për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor Librazhd-Korçë, në fshatin Dragostunjë, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor.
Mësohet se nga data 3 shkurt, deri më datë 5 shkurt 2026, do ketë ndalim qarkullimi gjatë intervaleve kohore 22:00-05:00.
Gjatë këtyre intervaleve kohore, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për mjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë. Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për informimin e drejtuesve të këtyre mjeteve, për bllokimin e përkohshëm të qarkullimit.
Gjatë kohës së bllokimit të lëvizjes do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.
Si alternativë kalimi për mjetet e vogla do të shërbejë aksi “Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh”, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren, për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për mirëkuptim nga ana e drejtuesve të mjeteve, respektimin e sinjalistikës dhe të udhëzimeve të shërbimeve të Policisë, si dhe për shmangien e lëvizjeve të panevojshme gjatë intervaleve kohore të bllokimit.
Në rast nevoje apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor që sjellin ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose të komunikojnë me shërbimet e Policisë në detyrë.


