Është shembur paraditen e sotme godina e fundit pa leje në zonën e Thethit, duke shënuar përmbylljen e aksionit 9-ditor të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për lirimin e hapësirave publike në një nga destinacionet më të njohura turistike të veriut të vendit.
Shpërthimi i komanduar u realizua me sukses nga forcat xheniere, të cilat kishin punuar prej orësh për vendosjen e kallëpeve të eksplozivit në strukturën 3-katëshe. Shembja ndodhi pa incidente apo rrezik për banorët dhe turistët në zonë.
Gjatë këtij operacioni, IKMT ka shembur në total 100 objekte të ndërtuara pa leje në fshatin piktoresk të Thethit, në kuadër të një aksioni të ndërmarrë për mbrojtjen e territorit.