Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka bërë thirrje palëve në Gaza që të bien dakord për një armëpushim humanitar pasi “bombardimet intensive” në enklavën e bllokuar palestineze vazhdojnë në muajin e dytë, transmeton Anadolu.
“Ka qenë një muaj i bombardimeve intensive në Gaza. 10 mijë njerëz kanë vdekur. Mbi 4 mijë prej tyre ishin fëmijë. Sa do të zgjasë kjo katastrofë njerëzore?”, shkroi Tedros në platformën sociale X.
Tedros theksoi se OBSH-ja u kërkon të gjitha palëve të bien dakord për një armëpushim humanitar dhe të punojnë drejt paqes së qëndrueshme.
Ai gjithashtu përsëriti thirrjen që kishte bërë më herët për lirimin e menjëhershëm të pengjeve.
“Historia do të na gjykojë të gjithëve me atë që bëjmë për t’i dhënë fund kësaj tragjedie”, theksoi ai.
Rripi i Gazës ka qenë nën bombardime të rënda që kur Hamasi nisi një ofensivë të befasishme kundër Izraelit më 7 tetor.
Të paktën 10.328 palestinezë, përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë që atëherë. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është pothuajse 1.600.