Në Tiranë u zhvillua ceremonia e diplomimit për pjesëmarrësit e kursit dyditor “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”, i organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kuadër të Programit të Ndihmës për Antiterrorin.
Zëvendës Shefja e Misionit të SHBA në Shqipëri, Kathryn Hammond, theksoi gjatë fjalës së saj rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, veçanërisht në dritën e incidenteve të fundit, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili i është atribuuar aktorëve shtetërorë iranianë.
Gjatë kursit, prokurorët u trajnuan në teknikat e avancuara të hetimit dhe ndjekjes penale të provave digjitale, një komponent kyç në përballimin e kërcënimeve moderne ndaj sigurisë kombëtare.
Fjala e plotë e Kathryn Hammond:
Jam e lumtur që jam sot këtu në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Programit të Ndihmës për Antiterrorin të Sigurisë Diplomatike. Ky kurs ishte planifikuar dhe pastaj u shty, mendoj se dy herë. Kështu që jam vërtet shumë e kënaqur që jemi të gjithë së bashku sot këtu për të ndarë informacion mbi këtë temë kaq të rëndësishme. Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm, Admiral Jano, instruktorë Curt Perkins dhe Scott Longo, kolegë nga ambasada – faleminderit për praninë tuaj sot këtu. Dhe faleminderit juve, prokurorëve, që keni ndarë kohë nga oraret tuaja të ngarkuara për të qenë këtu dhe për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje jetike. E di që keni udhëtuar nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në këtë kurs.
Në botën e sotme të ndërlidhur, nuk mendoj se mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e luftës kundër krimeve kibernetike. Krimet kibernetike paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve. Kriminelë, terroristë, regjime shtypëse dhe aktorë të tjerë abuzojnë me mjetet digjitale duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, duke dëmtuar të tjerët dhe duke ushtruar ndikim të dëmshëm. Vetëm të premten që kaloi, pamë një incident kibernetik në Bashkinë e Tiranës, të cilin Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ua ka atribuar aktorëve iranianë. Luftërat bashkëkohore fillojnë online. Mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale është mbrojtje kombëtare. Gatishmëria kibernetike është thelbësore për misionin.
Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, gjë që e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me partnerët për të çuar përpara një të ardhme digjitale që mbron sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve duke ndëshkuar ata që përdorin mjetet digjitale për qëllime kriminale. Që nga ndërhyrjet shkatërruese kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara e marrin me seriozitet rolin e tyre në ndihmën ndaj partnerëve për të ndërtuar mbrojtjen e tyre kibernetike – dhe një pjesë kyçe e kësaj mbrojtjeje është aftësia për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimeve kibernetike.
Gjatë këtij kursi, ju keni thelluar njohuritë tuaja mbi kompleksitetin e provave digjitale dhe rolin e tyre kyç në ndjekjen penale të terrorizmit dhe krimeve të tjera të mëdha. Keni fituar njohuri të vlefshme mbi mënyrat se si terroristët dhe kriminelët e tjerë shfrytëzojnë internetin dhe teknologjinë për të planifikuar dhe kryer veprat e tyre të tmerrshme. Ndërsa ktheheni në rrethet tuaja përkatëse, jam e bindur se do të zbatoni njohuritë dhe aftësitë që keni fituar për të pasur një ndikim të rëndësishëm në luftën kundër krimit.
Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj mbrojtjes së komuniteteve tuaja. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria mbeten partnerë të përkushtuar, si në botën reale, ashtu edhe në hapësirën kibernetike. Faleminderit!