Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore në territorin iranian, duke shprehur mbështetje të plotë për veprimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në një deklaratë të fortë, Rama thekson se Irani nuk është thjesht një shtet tjetër me ambicie bërthamore apo një diktaturë klasike, por një teokraci e rrezikshme, që për dekada ka përdorur një retorikë apokaliptike, duke e cilësuar botën e lirë si “satanike” dhe duke thirrur hapur për zhdukjen e saj.
“Ky nuk është thjesht një shtet tjetër bërthamor. As vetëm një diktaturë me ambicie për armë bërthamore. Kjo është një teokraci, e armatosur me retorikë apokaliptike, e zhytur në shtatëdhjetë vite propagande që e përshkruan botën e lirë si ‘satanike’ dhe që bën thirrje të hapura për asgjësimin e saj,” shkruan Rama.
Ai thekson se Shqipëria, një vend që vetë ka dalë nga një regjim ateist brutal, qëndron krenarisht në anën e botës së lirë dhe mbetet një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara.
“Si një komb që ka dalë nga humnera e një regjimi brutal ateokratik, si një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria qëndron fuqishëm pas përpjekjeve të sinqerta të Presidentit Trump për të parandaluar regjimin teokratik në Teheran nga zotërimi i armëve bërthamore,” thekson më tej Rama.