Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë vendosur në sekuestro 9.000 metra katrorë tokë arë në zonën e Fushë Prezës, në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar të mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit M.D., i cili pretendon se prona në fjalë, e trashëguar nga gjyshi i tij nëpërmjet ligjit nr. 7501 për ndarjen e tokës, është përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi A.T.
Sipas Prokurorisë, A.T. ka kaluar pronën në emrin e tij pa miratimin e anëtarëve të tjerë të familjes bujqësore, të cilët figurojnë si bashkëpronarë që prej vitit 1992 – duke shkelur drejtpërdrejt legjislacionin për ndarjen e tokës.
A.T. ka dhënë deklarata kontradiktore për mënyrën e përvetësimit, duke pretenduar fillimisht se e kishte trashëguar, dhe më pas se e kishte blerë për shumën prej 450.000 euro, për të cilën nuk rezulton ndonjë burim i ligjshëm.
Në vitin 2016, pasuria është “dhuruar” në emër të shtetases B.V., e përfaqësuar nga A.V., i cili më vonë ka deklaruar se e kishte blerë atë për 100.000 euro.
Nga analiza e dokumentacionit dhe provave të mbledhura, Prokuroria dyshon se A.T. ka përvetësuar pronën përmes mashtrimit ndaj një shtetasi tjetër, H.D., duke e përdorur më pas për transaksione të dyshimta me qëllim pastrimin e parave.