Sekretari i Këshillit Ndërfetar Shqiptar, Genti Kruja, ka treguar sesi e ka njohur kryepeshkopin Anastas Janullatos, të cilit iu dha lamtumira e fundit më 30 janar.
I ftuar në emisionin ‘Log.’ në News24, Kruja u shpreh se e ka njohur gjatë punës së tij dhe thotë se ishte një nga themeluesit e Këshillit Ndërfetar Shqiptar, që u bë me bekimin e liderëve të 4 besimeve në vitin 2007.
Ai zbuloi se në një takim e fundit me Kryepeshkopin një vit më parë, ky i fundit i kishte thënë se nga 4 themeluesit e Këshillit Ndërfetar shqiptar, vetëm ai ishte gjallë.
Kruja: E kam njohur kryepeshkopin Anastas në vitin 2003, atëherë kur kam filluar punë në KMSH. Në vitin 2004 më ka bërë shumë përshtypje në varrimin e Hafiz Sabri Koçit që i ka qëndruar shumë afër dhe ishte ndër të fundit që u largua nga varri i tij. Kjo më ka bërë shumë përshtypje.
Gjatë vizitave të Bajramit dhe festave në KMSH, kryepeshkopi nuk mungonte asnjëherë.
Në 2007 kur janë mbledhur së bashku 4 liderët e 4 besimeve, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Kisha Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata.
Shpesh, mbaj mend, edhe vitin e kaluar, kryepeshkopi thoshte që jam i fundit që kam mbetur gjallë nga 4 bashkëthemeluesit.
Ishin të katër këta që themeluan Këshillin Ndërfetar, pastaj në 2009 u bë një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e presidentit të republikës në atë kohë ishte Bamir Topi, ku u themelua zyrtar me mbështetjen e Këshillit Ndërfetar Botëror.