Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një reagim në lidhje me seancën e një dite më parë, 8 maj, në Gjykatën Administrative ku u shqyrtua padia e ngritur nga ai kundër emërimit të Ols Dados si Prokuror.
Në një postim në rrjete sociale, Veliaj thekson se “u evidentuan disa zhvillime shqetësuese për standardet e shtetit të së drejtës dhe transparencës së drejtësisë në Shqipëri”.
Sipas kryebashkiakut, edhe pse mediat kishin nisur transmetimin e seancës, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live dhe largimin e kamerave nga salla, duke iu referuar një udhëzimi administrativ të Këshilli i Lartë Gjyqësor. Veliaj e cilëson këtë vendim te gjykatës në kundërshtim me standardet kushtetuese për transparencën e gjykimit.
Ai shkruan se kundër pranisë së mediave u pozicionuan si Ols Dado, ashtu edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas tij, argumenti se transmetimi mund të dëmtojë imazhin e një magjistrati tregon pikërisht nevojën për transparencë publike mbi ligjshmërinë e mandatit të tij.
“Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku.”, thotë ai.
Kryebashkiaku pretendon gjithashtu se gjatë seancës u evidentua një “harmoni shqetësuese institucionale” mes qëndrimeve të KLP-së dhe Prokurorit Dado. Ai deklaron se, sipas provave të paraqitura në gjykatë, KLP nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për çështjet e ngritura prej tij, ndërsa nënkryetari i institucionit dyshohet se ka penguar shqyrtimin e tyre në organin kolegjial.
Veliaj pretendon po ashtu se përfaqësuesja e KLP-së ka tejkaluar autorizimin institucional duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni nuk është shprehur zyrtarisht.
“Nga vetë provat e paraqitura nga përfaqësuesja e KLP rezultoi se ky institucion nuk ka marrë asnjëherë një vendim kolegjial mbi çështjet e ngritura nga Erion Veliaj. Përkundrazi, sipas sa rezultoi në seancë, nënkryetari i institucionit ka penguar dërgimin e çështjes për shqyrtim në organin kolegjial dhe ndërkohë, janë krijuar përshtypje publike sikur ekziston një vendimmarrje e KLP-së, kur në fakt një e tillë nuk rezulton të jetë marrë.”, shton Veliaj.
Më tej, Veliaj thekson se do të vijojë të kërkojë verifikimin e plotë të ligjshmërisë së Dados, duke e konsideruar çështjen të lidhur me besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve.”, shprehet ai.
Reagimi i plote:
Të nderuar përfaqësues të medias,
Gjatë seancës së djeshme në procesin administrativ me paditës Erion Veliaj dhe të paditur Ols Dado etj., u evidentuan disa zhvillime shqetësuese për standardet e shtetit të së drejtës dhe transparencës së drejtësisë në Shqipëri.
Edhe pse mediat kishin instaluar kamerat dhe transmetimi kishte nisur, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live të seancës dhe nxjerrjen e kamerave jashtë sallës, duke u mbështetur në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me standardin kushtetues për transparencën e gjykimit.
Kundër pranisë së kamerave u pozicionuan dy subjekte të shtetit shqiptar: I padituri Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Argumenti i paraqitur nga i padituri Dado ishte se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, pasi akti i emërimit është një akt individual. Ky argument shpjegon pikërisht pse transparenca është e domosdoshme. Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku.
Gjatë gjykimit u evidentua gjithashtu një harmoni shqetësuese institucionale ndërmjet qëndrimeve të dy të paditurve Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atyre të Ols Dados. Nga vetë provat e paraqitura nga përfaqësuesja e KLP rezultoi se ky institucion nuk ka marrë asnjëherë një vendim kolegjial mbi çështjet e ngritura nga Erion Veliaj. Përkundrazi, sipas sa rezultoi në seancë, nënkryetari i institucionit ka penguar dërgimin e çështjes për shqyrtim në organin kolegjial dhe ndërkohë, janë krijuar përshtypje publike sikur ekziston një vendimmarrje e KLP-së, kur në fakt një e tillë nuk rezulton të jetë marrë.
Po ashtu, iu bë me dije gjykatës se përfaqësuesja e KLP kishte tejkaluar objektin e autorizimit institucional, duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni që ajo përfaqëson nuk është shprehur kurrë. Të gjitha këto fakte iu parashtruan gjykatës, përfshirë elementë që ngrenë dyshime serioze për paligjshmëri të rënda institucionale. Fatkeqësisht, nuk pati asnjë reagim.
Megjithatë, një gjë u bë e qartë për çdo person të pranishëm në sallë: kush kërkonte transparencë dhe shqyrtim me themel të së vërtetës, dhe kush kërkonte errësirë dhe mbyllje sa më të shpejtë të çështjes.
Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë deri në fund verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të këtij pushteti, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një proces konkret, por për vetë besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.


