Biznesmeni Elman Abule ka kërkuar ndarjen e çështjes së tij nga dosja e Erion Veliajt si dhe shqyrtimin nga një tjetër gjykatë dhe jo GJKKO.
Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, avokatja Romina Zano ka kërkuar që të ndahet çështja si edhe GJKKO të shpallë moskompetencë lëndore.
“Kërkojmë që të ndahet çështja për Elman Abulen dhe më pas shpalljen e moskompetencës lëndore nga ana e Gjykatës së Posaçme dhe dërgimin e çështjes për gjykim në një tjetër gjykatë. “, ka deklaruar avokatja.
Po ashtu Abule kërkon dhe gjykim të shkurtuar.
“Unë kërkoj gjykim të shkurtuar, i qëndroj kërkesës së bërë nga ana e avokates”, ka deklaruar biznesmeni.
Edhe Dritan Jahaj, përfaqësues i Mirton Likës dhe shoqërisë së tij Lani shpk, ka kërkuar që çështja të shqyrtohet nga një tjetër gjykatë.
“Kërkesa jonë ka të bëjë me konstatimin e kompetencës lëndore. Ne konstatuar që kjo gjykatë nuk është kompetente për të gjykuar këto vepra, kërkojë që çështja të kalojë në një tjetër gjykatë.”, tha ai.
Kujtojmë që biznesmeni Abule akuzohet nga SPAK për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në emër të shoqërisë tregtare “Rametal” shpk.


