Zhvillohet sot në Apelin e Gjykatës së Posaçme seanca gjyqësore ndaj Belinda Ballukut, e cila ka kërkuar heqjen e masave të sigurisë të caktuara ndaj saj, konkretisht pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, të vendosura nga GJKKO.
Në Gjykatë ajo përfaqësohet nga dy avokatët e saj. Ndërkohë dy bashkëpunëtorët e zv.kryeministres drejtori i KESH Erald Elezi, dhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë paraqitur në seancën gjyqësore shoqëruar nga përfaqësuesit ligjorë.
Ankimi i Belinda Ballukut dhe dy vartësve do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça.
Ndaj Belinda Ballukut rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tenderë për tenderin për Tunelin e Llogarasë, aferë kjo me vlerë 210 mln euro dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokurouar 450 mln euro.
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme kërkon nga Kuvendit heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e saj. Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.


