Ernest Lama (24 vjeç) dhe Gëzim Hoxhaj (32 vjeç), të dy nga Tirana, mbeten në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, pasi u plagosën me armë zjarri gjatë një konflikti në një lokal në Sarandë, pasditen e 17 korrikut.
Autor i dyshuar i ngjarjes është Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, i cili ndodhet në kërkim për “vrasje në tentativë”. Policia ka shpallur në kërkim edhe vëllanë e tij Erjon Canaj dhe dy shtetas të tjerë, A. M., 43 vjeç, dhe K. J., 31 vjeç, nën akuzën për “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas Policisë, konflikti nisi për motive të dobëta, por degjeneroi në përdorim armësh. Gjatë përplasjes fizike, Ramadan Zoto dyshohet se hapi zjarr në drejtim të dy të rinjve, duke i lënë të plagosur rëndë.
Gëzim Hoxhaj, përveçse i plagosur, është arrestuar në spital pasi iu gjet një armë zjarri pistoletë, që e mbante pa leje. Ai akuzohet për “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.
Ramadan Zoto, person me të shkuar kriminale të rëndë, ka qenë më parë i arrestuar për vrasje në Greqi në vitin 2005 dhe për grabitje me armë. Ai ka qëlluar edhe ndaj policisë greke gjatë një tentative arrestimi në vitin 2008, ku më pas u kap dhe u dënua.
Ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Sarandës dhe Policia e Vlorës. Kontrollet në qytet dhe operacionet për kapjen e autorëve vijojnë.