“Safe Journalists Albania” ka reaguar pas qendrimit zyrtar të delegacionit të BE-së në Shqipëri për mbylljen e News24 dhe uzurpimin e godinave të Fosus Media Group nga policia dhe forcat e ushtrisë.
Delegacioni i BE-së u shpreh më herët se është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre, teksa theksoi se po ndjek nga afër situatën lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj.
Referuar qendrimit të BE-së, “Safe Journalists Albania”, përmes një postimi në Facebook, shprehet se mirëpret qendrimin e delegacionit të Bashkimit Europian për çështjen ndaj News24.
“E mirëpresim reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me çështjen e Focus Media Group. Na gëzon fakti që qëndrimi i tyre është plotësisht në përputhje me deklaratat që kemi bërë që nga njoftimi ynë fillestar më 9 gusht”, thuhet në postimin e “Safe Journalists Albania”.