Flamur Sula, babai i Ilaria Sulas, studentes 22-vjeçare shqiptare të vrarë në Romë nga ish-i dashuri Mark Samson, ka folur për dhimbjen e thellë që ka mbetur pas humbjes së vajzës së tij dhe pasojat e ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur.
Në intervistën e tij, babai i Ilaria Sulës është i vendosur të kërkojë drejtësi për të bijën, duke shprehur zemërimin dhe trishtimin që nuk do të kalojnë kurrë.
Ai ka rrëfyer se dhimbja që ka mbetur pas vrasjes së Ilaria është një plagë që nuk mbyllet. “Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë e ndjej mungesën e Ilariasë. Është një dhimbje që nuk mund të shpjegohet, që nuk mund të fshihet,” tha ai, duke theksuar se data 20 maj, që do të ishte ditëlindja e vajzës së tij, ka qenë një tjetër moment tërësisht shkatërrues për familjen.
“Më 20 maj do të ishte ditëlindja e saj, për ne ishte si një varrim tjetër. Ajo, 23 vjeç, nuk do t’i festojë kurrë”, tha ai.
Flamur Sula i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa të fuqishëm për të luftuar këtë fenomen të dhunës ndaj vajzave nga ish-partnerët, ku Ilaria nuk ka qenë rasti i vetëm. Pas 22-vjeçares shqiptare një tjetër vajzë e re, Martina, u vra nga partneri në Itali.
“Ne mendonim vetëm të punonim dhe të ndërtonim një jetë. Sot, ka vetëm frikë,” tha ai, duke theksuar se mungesa e një qasjeje serioze për të ndalur dhunën është një nga shkaqet e rritjes së rasteve të tilla.
I pyetur për frikën që ka për djalin e tij, Flamur Sula tha se e shqetëson shumë, por përpiqet të flasë me të për të shmangur çdo formë dhune.
“Nëse ai ka një vajzë, duhet ta mësojë se ‘jo’ do të thotë ‘jo’, dhe nëse ndonjëherë e lënë, duhet ta pranojë dhe të mbyllet me kaq,” tha ai.
I pyetur nëse do të mund të falë Mark Samson për vrasjen e të bijës, ai shprehur bindjen se nuk mund të ketë falje për ata që janë përgjegjës për krime të tilla.
“Vrasja e Ilaria-s dhe Martinas nuk janë aksidente, janë vrasje të qëllimshme. Ajo që ndodhi është një akt i pabesueshëm dhe askush nuk mund ta pranojë,” u shpreh ai, duke kërkuar drejtësi për vajzën e tij dhe të gjitha viktimat e dhunës.
INTERVISTA
Një tjetër herë një vajzë është vrarë nga ish-partneri. Si u ndiet kur e mësuat këtë?
Flamur Sula: Që kur Ilaria u vra, mezi ndez televizorin, nuk lexoj gazeta. Nuk më intereson shumë ajo që ndodh. Por kur mësova se çfarë kishte ndodhur në Napoli, u ndjeva keq. Ishte si të përjetoja gjithçka përsëri. Me cilin të drejtë vret dikush një vajzë si hija ime, apo si Martina?
Edhe ish i dashur i Martinas mori pjesë në kërkime, duke simuluar shqetësim.
Flamur Sula: Kjo më jep dridhje. Nuk mund ta kuptoj si mund të ketë kaq ftohtësi, kaq egërsi, si mund të jenë kaq të aftë të gënjejnë. Vajzat vriten për asgjë dhe kjo ndodh vazhdimisht.
A mendoni se mund të bëhej diçka për ta ndaluar këtë?
Flamur Sula: Qeveria duhet të bëjë diçka, të marrë masa të forta. Nuk e di se çfarë lexojnë apo studiojnë këta djem, por duket se diçka nuk shkon, diçka mungon. Ne mendonim vetëm të punonim, të ndërtonim një jetë. Sot ka vetëm frikë.”
A keni pasur ndonjëherë frikë për Ilarian?
Flamur Sula: Asnjëherë, sepse e njihja vajzën time, e besoja. Ishte një vajzë e drejtë, që kurrë nuk do të lejonte të sillej siç do të donte dikush tjetër. Për këtë arsye dua të kuptoj vërtet se çfarë ndodhi.
Keni edhe një djalë, sapo ka mbushur 18 vjeç. A keni frikë për të?
Flamur Sula: Sigurisht që kam, herë pas here. Por, unë flas vazhdimisht me djalin tim, i them që nëse ka një vajzë, duhet të kuptpjë, që “jo” do të thotë “jo”, dhe nëse ndonjëherë iken, duhet ta pranojë dhe të mbyllet me kaq. Ne kaluam dhe po kalojmë përmes gjithë kësaj, është një makth që nuk do t’ia dëshiroja askujt.
A ka diçka që doni të thoni për familjen e Martinas?
Flamur Sula: Me të vërtetë më vjen shumë keq, mund të them vetëm këtë. E kuptoj dhimbjen e tyre, është diçka që nuk kalon. Gruaja ime është shkatërruar, nuk jam i sigurt se për ne mund të ketë ndonjëherë normalitet. Jeta jonë, ditët tona, përqendrohen vetëm në atë që është rruga jonë e vetme ditore: nga shtëpia te varrezat. Asgjë tjetër.
A ju jep ngushëllim ideja e drejtësisë?
Flamur Sula: Nuk do të kem qetësi deri sa ai të jetë në burg përgjithmonë. Ende nuk mund ta kuptoj, nuk arrij ta kuptoj si mund të bënte një gjë të tillë. Deri në frymën e fundit, do të kërkoj drejtësi për Ilarian. Nuk do të dorëzohem kurrë.
A mund të arrish të falësh?
Flamur Sula: Nuk mund të ekzistojë falje për njerëz që mund të bëjnë gjëra të tilla. Ajo që ndodhi me Ilarian dhe me vajzën e Napolit nuk është një aksident rrugor, një fatkeqësi. Ata janë vrarë qëllimisht. Diku, një dikush ka vendosur që një tjetër person nuk ka më të drejtën të jetojë. Kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë e pranueshme.