Në fillim të javës së ardhshme pritet të shpallen rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja. Ndërkohë, dje ka nisur numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, që pritet të përfundojë për dy ditë.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ Adnan Rrustemi për gazetën “Zëri” ka thënë se procesi i rinumërimit do të duhej të përfundonte kohë më parë.
“Mirë do të ishte të përfundonte shumë më parë ky proces. Natyrisht, po bëhen disa ditë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe ende nuk ka përfunduar komplet procesi në QNR para se të shpallen rezultatet përfundimtare”, tha ai për “Zërin”.
Ai ka kritikuar mënyrën e numërimit të votave pas çdo procesi zgjedhor. Ai tha se kjo mënyrë e të numëruarit duhet të ndryshojë.
“Numri i vendvotimeve që shkojnë në rinumërim për fat të keq për çdo palë zgjedhje në Kosovë është goxha i lartë. Kjo vjen si pasojë e trajnimit të ulët ose të dobët të komisionarëve e po ashtu edhe nuk përjashtohet mundësia që në vendvotime të caktuara të ketë parregullsi të votave për kandidatë të caktuar. Në anën tjetër, rinumërimet mund të paraqiten vetëm nëse ankesat janë të bazuara dhe të argumentuara. Më shumë kemi pasur kërkesa me motive politike sesa raste të raportuara, që vërtet kanë qëndruar për rinumërim. KQZ-ja vetvetiu identifikon vendvotimet që duhet të shkojnë në rinumërim”, ka thënë ai.
Rrustemi ka thënë se në të ardhmen ky model i numërimit të votave duhet të ndryshojë. “Unë shpresoj që në të ardhëm ky model i numërimit të votave të ndryshojë, sepse gjithmonë më shumë po merr kohë numërimi dhe rinumërimi sesa vetë periudha e organizimit të zgjedhjeve”, tha ai dhe shtoi se numërimi edhe i këtyre votave nuk mund të ndryshojë asgjë në rezultatet përfundimtare, pasi LVV-ja prin shumë me vota para LDK-së.
“Nuk jemi ngushtë me LDK-në, ne jemi mbi 10 mijë vota para LDK-së dhe nuk mund të ndryshojë asgjë. Përkundrazi, rinumërimi dhe votat e mërgatës vetëm e kanë thelluar këtë diferencë. Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, nuk ka më asnjë pritje për kurrfarë ndryshimi. Pres që shumë shpejt pas shpalljes së rezultateve përfundimtare KQZ-ja do t’i certifikojë rezultatet për t’u hapur faza e ndërtimit të institucioneve”, ka përfunduar Rrustemi.
Ndërkohë, kujtojmë se tashmë ka përfunduar rinumërimi i të gjitha vendvotimeve e po ashtu KQZ-ja ka numëruar edhe votat e ardhura me postë nga Serbia. Ky vendim ka shkaktuar reagime te disa parti politike, të cilat tërhoqën komisionarët e tyre. Ishte Nisma Socialdemokrate ajo e cila edhe i ka larguar nga QNR-ja vëzhguesit e saj. Ndërkohë LDK-ja pas largimit të komisionarëve kishte vendosur t’i kthente sërish në QNR.
Numri i votave të ardhura nga Serbia ishte rreth 3 mijë.




