(Shënime për librin me tregime “Princi i buzëqeshjes” i Zija Çelës, Toena 2016)
Nga Agim Baçi
Buzëqeshja… Loti… Të falësh…. Nuk janë tri fjalë. Janë botë ku duhet të notojë njeriu për t’i dhënë kuptim hapave të tij. Zija Çela i ka sjellë personazhet dhe fabulat e 33 tregimeve të tij në këtë trekëndësh fjalësh, duke kërkuar të gjejë atë që na mban gjithnjë duke ecur, pa u ndalur, pa u ankuar nga rrëzimi dhe duke kërkuar “horizontmetrin”, siç e cilëson ai përmes personazhit të gjyshit (tregimi “për gjyshin dhe horizontin”) këmbënguljen për të parë përtej asaj që na rrokin sytë dhe mendimet tona. Është një trekëndësh fjalësh ku asgjë s’mundet të tentojë të qëndrojë pa të tjerat e ku të gjitha bashkë kërkojnë të bashkudhëtojnë me njeriun për t’i dhënë atij një emër në çast-ditët që i numëron që pas të qarës së parë.
Me një sy nga imagjinata e me syrin tjetër me vështrimin e shtrirë në gjithçka përreth, Zija Çela, përmes rrëfimesh me fjali të shkurtra, sjell duke vallëzuar të mundshmen dhe të pamundshmen, ashtu siç i shfaqen jo rrallëherë rrugët njeriut në jetën e tij, e që atij i duhet që të vendosë se çfarë mundet me falë nga vetja e tij e se çfarë duhet t’u kërkojë të tjerëve.
Janë tregime mes ironisë dhe humorit, me një ftesë për t’i kthyer sytë nga buzëqeshja, e cila nuk mund të vijë ashtu, kollajshëm, pa notuar një herë nga “deti i lotëve” apo pa u ngjitur “në malin e faljes dhe pendesës”. Ka rrokur fabula nga lëkura e tij, përmes zërit të mbesës, por ka sjellë edhe rrëfime duke u shtrirë në fabula popullore apo nga histori të përbotshme si Borëbardha, Kuçedra apo Gogoli. E sërish, shtrihet nga e përditshmja në atë çfarë na duhet ta shohim, në atë që shpesh merr prej nesh rrezatimin duke i dhënë kuptim edhe më të padukshmes rreth nesh.
“… Pasqyrën nuk e pashë, se e kisha prapa, por dëgjova kur plasi dhe u bë copë e grimë.
Gjyshja u vrenjt, si prej ca stërkalash që s’dihej nga ia behnin. Një vuajtje që deshi ta fshihte, ia shtoi zhubrat e fytyrës. Pastaj tha:
-Jo, vogëlushja ime, nuk ka qenë pasqyra. Ka qenë zemra e nënës sate që ka plasur. Po çfarë ngjet brenda nesh, nuk shihet me sy.
Nora u largua thuajse duke vrapuar. Me të hapur derën, hodhi vështrimin në qoshe të sallonit. U habit kur pa se, me të vërtetë, qelqi i pasqyrës qëndronte në kornizën e vet.
“Po si kështu, si kështu?!, i çuçloi një fije zëri.
Ndoshta në çdo shtëpi edhe sendet e zakonshme bëjnë jetën e tyre të fshehtë. Veçse atë jetë e marrin nga njeriu”. (Zija Çela, shkëputur nga tregimi “Sende të zakonshme me jetë të çuditshme”, pjesë e përmbledhjes me tregime “Princi i buzëqeshjes”, Toena 2016, f. 65).
Tregimet “Tradhtia e xhuxhave” apo “Qengji i grigjës” nisin rrëfimin nga bota e fëmijëve dhe përrallave, për t’u “parkuar” në veshët e të rriturve, të cilët kanë nevojë të dëgjojnë sërish zërin e tyre të brendshëm, që shumë kohë më parë mund t’i ketë thirrur për një udhë të bukur me të vërteta, por që ka mbetur ashtu, si një maket, duke zvogëluar çdo ditë tik-taket e zemrës, të cilat vijnë e dëgjohen gati si një pëshpërimë. Çela thërret përmes kërkesës për të gjetur kurajën për të buzëqeshur, për të falur. Kërkon ta shohë njeriun në sy dhe t’i hapë udhë imagjinatës se e ka të mundur edhe të fluturojë për të mbërritur atje ku duhet, sidomos duke mos harruar të jetojë në paqe me tjetrin. Sepse, “Shpina, shpina e njeriut është muri i vërtetë i botës!”. (Tregimi “Muri i botës”, f. 86), ndaj dhe duhet të gjejmë rrugët që i rrëzojnë këto “tulla” të këtij muri që e fut njeriun në korin e humbjes së zërit të tjetrit – zë që nuk është veçse edhe zëri ynë, i të gjithëve.
Rrëfimtari ka vendosur të shquajë si kryetitull të përmbledhjes së tij me tregime jetën e “Jari Kaçinarit”, që kthehet në princ të buzëqeshjes nga nevoja dhe frika për dashuri. Një kryetitull për 33 tregimet, si për të dalluar rrugët e pafundme që na i kujton buzëqeshja – një motor që mund të ndezë brenda nesh gjithë dritat për të cilat kemi nevojë të shquajmë gjithçka tek vetja dhe tek njeriu që kemi pranë.
“Ajo gojëdhënë, sipas babait të Jarit, mbyllej me fjalët: Po e pate diçka me tepri, nevojtarët ta kërkojnë dhe ti nuk ua jep, pjesën e tepërt e merr Djalli dhe e hedh në përrua”. (“Princi i buzëqeshjes”, f.140).
.. E nëse nuk arrin të na mbetet një buzëqeshje për dhuratë, atëherë gjithçka duhet riparë për ta ringritur, sepse jemi rrëzuar por ndoshta nuk e dimë ende…