Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo njoftoi se Bordi i Transparencës do të mblidhet sot për të marrë vendime lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve, duke përfshirë edhe ndikimin e ndryshimeve në bursë dhe rritjen e çmimit të naftës.
Ministri theksoi se rritja e çmimeve të karburanteve dhe inflacioni që kjo sjell në produktet e tjera kërkojnë një kohë të caktuar për t’u adresuar.
Demo shtoi se qeveria është e gatshme të ndërmarrë masa shtesë kur situata tregon se barra për qytetarët ka një ndikim të konsiderueshëm, duke vepruar përmes Bordit të Transparencës dhe institucioneve të tjera kompetente.
“Bordi sot do të mblidhet, po merr informacionet mbi lëvizjen e çmimeve dhe mbi të gjitha ndryshimi që ka çmimi i bursës. Bordi do të dalë sot me një vendimmarrje lidhur me çmimin.
Di të them që rritja e çmimit të naftës dhe inflacioni që sjell në produktet kërkon një kohë të caktuar. Ajo që po bëjmë është të garantojmë transparencës, duke filluar jo vetëm me produktet bazë, por edhe me produktet si nafta, që ne të garantojmë që të mos ketë spekulim në treg.
Qeveria është e gatshme të marrë masat e duhura kur ne gjykojmë që situata është e tillë që barra për qytetarët ka një impakt jo të vogël dhe qeveria do të marrë masa përmes Bordit të Transparencës dhe institucioneve të tjera”, tha ministri Demo.


