Pas rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës qeveria ka vendosur që të ringrejë Bordin e Transparencës. Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila gjithashtu njoftoi edhe uljen e akcizës me 20%.
Ky vendim, tha Ibrahimaj u mor duke parë ecurinë e ditëve të fundit, ku pas sulmeve në Iran, çmimi i naftës ka pasur rritje të ndjeshme.
“Sapo kam dalë nga një mbledhje e gjatë në Kryeministri, me kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Energjetikës, për të analizuar në detaje situatën. Duke parë ecurinë e ditëve të fundit dhe ndikimin e sulmeve të ditëve të fundit kemi vendosur të ringrejmë Bordin e Transparencës.
Bordi ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne kemi vendosur të ndërhyjmë edhe në çmimin e akcizës duke e reduktuar në 20%. Janë dy akte të cilat do t’i kalojnë Këshillit të Ministrave. Akciza është te 40 lekë dhe do të ulet te 20%. Do të marrim parasysh taksat dhe për çmimin e shumicës do të ketë një marzh 3 lekë për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë që çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë asnjë abuzim”, deklaroi Ibrahimaj në Tch.


