31 palestinezë mbetën të plagosur, Antonio Guterres thirrje të ndalen sulmet dhe retorika vrasëse
31 palestinezë u plagosën nga përleshjet me policinë izraelite pranë xhamisë Al-Aksa.
Përleshjet filluan rreth orës 4 të mëngjesit, kur qindra protestues filluan të hedhin gurë dhe duke gjuajtur me fishekzjarre ndërsa valëvitnin flamujt e Hamasit.
Forcat izraelite nga ana tjetër u kundërpërgjigjen me granata, plumba gome dhe spraj me piper ndaj palestinezëve. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e mbetur jashtë xhamisë. Por autoritetet janë shprehur se konfrontimet dukej se ishin më të kufizuara sesa dhuna e fundit e cila është rritur gjatë javës së kaluar dhe ka ngritur shqetësime globale për një rindezje të konfliktit.
Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është shprehur thellësisht i shqetësuar nga përkeqësimi i situatës në Jerusalem. Ai shtoi se ishte në kontakt me palët për t’i shtyrë ato të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet, për të shmangur veprimet nxitëse dhe retorikën. Në Mars, forcat izraelite vranë të paktën 29 palestinezë në bastisjet në Bregun Perëndimor, ndërsa 14 njerëz në Izrael u vranë gjatë sulmeve në rrugë.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se po planifikon të marrë kontrollin e vendit ose ta ndajë atë. Autoritetet izraelite thonë se janë të përkushtuara për të ruajtur status quo-në, por vitet e fundit hebrenjtë nacionalistë e kanë vizituar vendin me shoqërimin e policisë.