Dekania e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, Ledina Alolli, ish-deputete në Kuvendin e Shqipërisë, e ka cilësuar mbylljen e sinjalit të News24 si censurë ndaj halleve dhe problemeve të komunitetit.
Alolli shkruan se me mbylljen e News24, Rama dëshmoi sërish se integrimin europian e ngriti si fasadë për manipulimin e publikut në fushatën e pseudozgjedhjeve të 11 Majit.
Reagimi i Ledina Alollit:
Fikja e sinjalit të News24, censurë ndaj halleve dhe problemeve të çdo komuniteti.
Një televizion që i jep zë, çdo problemi dhe shqetësimi të fermerëve, njerëzve të punës në bujqësi e blegtori, bizneseve të vogla e të mëdha, të rinjve që po ikin çdo ditë e më shumë nga ky vend, ky është News24.
Korça është qyteti më dëshmimtar i kësaj transparence dhe informimi që kryejnë gazetarët e televizionit ndër më informativët, në vend, ditë dhe natë. Sot mbyllja e tij, shuan zërin dhe shprehjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve që nuk i pret e i dëgjon kush në zyra e institucione si ato të pushtetit vendor dhe qendror.
Rrethimi dhe fikja e sinjalit të News24 nga zyrtarët e pushtetit dëshmon se, pushteti i Ramës synon të shtypë hermetikisht çdo zë dhe hapësire lirie dhe informacioni. Mbyllja e nje mediaje degradon një shoqëri në një diktaturë të rrezikshme. Tashmë çdo televizion për Ramën, duhet të jetë ekran i propagandës dhe fasadës së tij.
Çdo kanal që përcjell informacion të pavarur apo aq më tepër, kundërshtues të politikave të tij, t’i fiket sinjalin që të mos transmetojë asgjë nga realiteti.
Partia Demokratike, si parti që u themelua me mision, fjalën e lirë do të qëndrojë në krah të çdo kauze të medias së lirë e të pavarur.
Ky standard kyç i shtetit të së drejtës qëndron në themel të integrimit në BE. Me mbylljen e News24, Rama dëshmoi sërish se integrimin europian e ngriti si fasadë për manipulimin e publikut në fushatën e pseudozgjedhjeve të 11 Majit.