Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për rrëmbim me qëllim përfitimi pasuror.
Të pandehurit Sulejman Sina, Idajet Mashollari, Klinton Sina dhe Nikoleta Begolli do të përballen me akuzën për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”
Si ndodhi ngjarja?
Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetases A.V., e cila denoncoi se vëllai i saj, shtetasi Edvar Agalliu kishte telefonuar bashkëshorten duke i kërkuar me urgjencë 2 milionë lekë, pasi ndodhej në rrezik për jetën dhe vetëm pas pagesës mund të kthehej i lirë në shtëpi.
Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se rrëmbimi ishte planifikuar dhe realizuar nga katër të pandehurit, të cilët e kishin ndjekur Agalliun pranë zonës së shkollës pedagogjike në Tiranë. Ai ndodhej aty me shtetasen Nikoleta Begolli, kur pranë tyre është afruar një automjet tip Golf, me ngjyrë të zezë. Me forcë, ata e kanë futur viktimën në mjet, i kanë vendosur një kapuç në kokë dhe e kanë transportuar në një banesë të vjetër, në një vend të largët.
Shantazhi
Në vendin ku e mbajtën peng, Agalliut i janë lidhur duart dhe i është kërkuar shuma prej 2 milionë lekësh, me pretendimin se kishte ngacmuar Nikoleta Begollin, e cila bashkëjetonte me një nga të dyshuarit, Sulejman Sina.
Më pas, të dyshuarit kanë kontaktuar me bashkëshorten e viktimës, të cilës i kanë bërë presion për pagesën e shumës së kërkuar. Ajo, nën frikën për jetën e bashkëshortit, ua ka dërguar paratë.
Gjatë pengmarrjes, katër të dyshuarit e kanë kërcënuar viktimën se nëse nuk bëhej pagesa, do t’i dërgonin gruas së tij fotografi kompromentuese me Begollin, për t’i shkatërruar familjen, dhe më pas do ta eliminonin fizikisht.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq katër shtetasit Sulejman Sina, Idajet Mashollari, Klinton Sina dhe Nikoleta Begolli, për veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal.
Nga hetimet, rezultoi se shtetasit Sulejman Sina, Idajet Mashollari, Klinton Sina dhe Nikoleta Begolli planifikuan rrëmbimin e shtetasit Edvar Agalliu dhe e kanë realizuar atë me qëllim fitimin e pasurisë. Hetimet provuan se ata në afërsi të shkollës pedagogjike Tiranë, në momentin që shtetasi E.V. ka qenë me shtetasen N.B., janë afruar një mjet tip Golf, me ngjyrë të zezë dhe me forcë e kanë futuar atë në mjet ku i kanë vendosur edhe një kapuç në kokë, dhe e kanë çuar dhe në një vend tjetër, të largët.
Pasi e kanë futur në një banesë të vjetër, i kanë lidhur duart dhe i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë lekë, me pretendimin se shtetasi Edvar Agalliu kishte ngacmuar shtetasen Nikoleta Begolli. (bashkëjetuesja e shtetasit Sulejman Sina). Më pas tre të dyshuarit kanë komunikuar në telefon me bashkëshorten e të dëmtuarit/viktimës, shtetasen M. A., e cila iu dërgoi të dyshuarve shumën e parave.
Të katër këta persona e kërcënuan shtetasin Edvar Agalliu duke i thënë se nëse pagesa nuk do të kryhej, atëherë ata do t’i dërgonin fotot e tij dhe të shtetases Nikoleta Begolli, bashkëshortës së tij, për t’i shkatërruar familjen dhe më pas do ta vrisnin.
Në përfundim të hetimeve, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se shtetasit Sulejman Sina, Idajet Mashollari, Klinton Sina dhe Nikoleta Begolli kanë konsumuar veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal, e cila parashikon se; rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.