Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, i njohur si kopshtari i kompleksit “Golden Resort”, për përfshirjen e tij në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar 2020.
Vendimi i parë për burgim të përjetshëm ishte dhënë në shtator 2022 nga GJKKO e Shkallës së Parë, por u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, duke urdhëruar një shqyrtim të ri me trup tjetër gjykues. Pas rishqyrtimit, Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin fillestar, duke refuzuar pretendimet e të pandehurit.
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, – thuhet në vendimin e sotëm, 25 korrik 2025.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar), më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 63/5 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025.
DETAJET
Sipas SPAK, rrëmbimi i Jan Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth.
Hetuesit besojnë gjithashtu se Festim Bexhdili di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga. Ky i fundit pas rrëmbimit u çua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Festim Bixhdili ishte kopshtari i kompleksit. Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën. Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.
Për ngjarjen u arrestuan Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj.
Roli i Dritan Rexhepit:
49-vjeçari pukjan u rrëmbye mesditën e 17 janarit të vitit 2020, nga 4 persona në mes të Kamzës, duke u dërguar në një prej resorteve më të njohura në vend dhe më pas trupi i tij u zhduk.
Dritan Rexhepi është akuzuar si organizatori i atij akti brutal, ndërsa rrëmbimin dyshohet se e kanë kryer 4 persona nga Shkodra.
Por, mbreti i kokainës ka mohuar përfshirjen në rrëmbimin e Prengës, njohjet me personazhet e krimit, si edhe përfshirjen në atë histori të vjedhjes së drogës në Angli.
Gjithashtu mohoi të njihte Altin Hajrin të zotin e resortit nga ku u zhduk trupi i Prengës.
Dritan Rexhepi ka theksuar se në atë kohë gjendej në burg në Guayaquil-i në Ekuador, i dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine.
Por, që në krye të herës, u tha se një person me emrin Gramoz nga Vlora, kishte organizuar të gjithë ngjarjen, por Gramozi ka mohuar të jetë personi nga Vlora për të cilin flet dosja.
RRËFIMI
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador. Kam qenë i dënuar 13 vjet për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Doçajn (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”, dëshmoi Rexhepi.