Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka shpallur moskompetencën për çështjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra (ngjarje e ndodhur më 8 korrik të këtij viti), duke vendosur që dosja të kalojë për hetime të mëtejshme në SPAK.
Vendimi vjen në një kohë kur, gjatë ditës së sotme, kjo gjykatë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të dy të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e të riut.
Më herët, për të njëjtën ngjarje, janë arrestuar edhe Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri.
Sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, ndaj dy të dyshuarve ( të cilët u arrestuan dje) u vendos masa e sigurisë më “arrest me burg”.
Mësohet se gjatë shqyrtimit të masës, ka pasur përplasje verbale dhe debate të ashpra mes të akuzuarve dhe trupit gjykues.
Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka akuzohen se fillimisht kanë rrëmbyer Renis Dobrën, dhe më pas e kanë vrarë në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.
Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin Fatjon Bushgjokaj dhe me shtetasin Petrit Çakrri 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin Renis Dobra 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
Rrembimi dhe vrasja
Eliminimi i 23-vjeçarit Dobra ishte vënë në jetë pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës.
Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit.
Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.
Pasi e vranë, autorët e futën trupin e 23-vjeçarit në makinë dhe e hodhën në Liqenin e Shkopetit me qëllim për të fshehur ngjarjen, por trupi i pajetë i të riut ka dalë jashtë, ndërsa mjeti përfundoi në ujë.
Ndaj Petrit Çakrri rëndojnë akuzat “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”, ndërsa Fatjon Bushgjoka akuzohet për “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Njoftimi i policise
Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.
Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.
Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.
Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D.
Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim.
Bazuar në këtë informacion, u organizua dhe u zhvillua në bashkëpunim me shërbime të Forcës Speciale RENEA, operacioni i koduar “Operacionalja 68”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në një apartament në Tiranë dhe ndaluan shtetasit:
-K. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, vëllezër.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.
2 shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, për veprime të mëtejshme.