EMISIONI VETTING
Përfitimet e Ami Kozelit nga Rindërtimi.
Zv.ministri i Infrastrukturës Kozeli duket se ka probleme që lidhen edhe me Rindërtimin.
Në 13 shkurt 2020, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr.143 do të miratonte listën e subjekteve, të cilat përjashtoheshin nga TVSH-ja në kuadër të programit të Rindërtimit. Pra, kompanitë që kishin projekte publike që lidheshin me Rindërtimin nuk do të paguanin TVSH-në, si edhe kompanitë që do të ndërtonin projekte të lidhura me Rindërtimin, që financoheshin nga donatorë të huaj drejtpërdrejt.
Më 30 shtator 2020, Këshilli i Ministrave do të shtonte edhe një kategori tjetër përfituesish, që ishin kompanitë nënkonktraktore të përfshira në programin e Rindërtimit dhe furnizuesit e mallrave për këtë proces.
Në listën e kompanive të publikuara nga tatimet, të cilat kanë përfituar nga TVSH-ja gjendet edhe kompania “EUR0-GUAINA” ish-Mantis shpk, në pronësi të Agim Kozelit, babai i zv.ministrit të Infrastrukturës.
“Këtu kemi të njëjtin problem se kemi të bëjmë me veprime korruptive sepse dyshohet se zv.ministri ka favorizuar babanë e vet, për ti dhënë prokurime apo për ti dhënë tendera, për të përfituar nga buxheti i shtetit.”- shprehet Llangozi.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2003 nga shtetasi italian Lorenzo Recchetti, Agim Kozeli dhe Artur Kozeli. Në 2006 ortak kalon Ami Kozeli, i cili ia rishet këto aksione babait të vet në vitin 2014.
Nga të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se kjo kompani është përjashtuar 4 herë nga pagesa e TVSH-së si nënkontraktor ose furnizues i kompanive që kanë realizuar projekte nga Rindërtimi.”
Në këtë rast Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë autorizime për kompaninë “EURO-GUAINA” për përjashtim nga TVSH-ja, në 17 shtator 2021, në 13 korrik, 16 shtator dhe në 4 tetor të vitit 2022.
Sipas Arben Llangozit: “Prokuroria e Posaçme duhet menjëherë të fillojë një hetim, të dokumentojë veprimet sepse përveçse kemi përfitim të ardhurash nga buxheti i shtetit kemi edhe rimbursim TVSH-je dhe kjo e ka dëmtuar dy herë Buxhetin e Shtetit dhe këtu vetëm një favorizues të përbashkët, favorizimin nga djali i vet që i bën familjarëve të vet, siç është në rastin konkret babait apo vëllait të tij.”
VIJON…