Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e Konkursit Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallati i Kongreseve, ku theksoi nevojën për një transformim të thellë të godinës, duke ruajtur identitetin e saj.
Sipas Ramës, objekti përballet me probleme serioze që kërkojnë ndërhyrje, ndërsa projekti synon ta sjellë ndërtesën në standardet bashkëkohore të teknologjisë, funksionalitetit dhe cilësisë së hapësirave.
Sipas kreut të qeverisë, qëllimi është që Pallati i Kongreseve të mos mbetet një hapësirë e izoluar që gjallërohet vetëm gjatë aktiviteteve të veçanta, por të shndërrohet në një destinacion të përhershëm për jetën kulturore dhe turistike të kryeqytetit.
“Ndërtesa ka probleme serioze për të adresuar, është koha vërtet për një transformim, duke ruajtur identitetin e saj. Natyrisht thirrja në bashkëpunim e sipërmarrjes nënkupton dhe zhvillimin e një objekti apo një terësie objektesh pranë pallateve të kongreseve. Qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, nga pikëpamja e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës së riorganizuar dhe riangazhuar cilësisht, por edhe që ky pallat dhe kjo zonë të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, i Tiranës së aktiviteteve kulturore, duke mos e lënë një ishull të heshtur kur nuk ka një aktivitet brenda, duke krijuar jetë siç kemi krijuar jetë rreth stadiumit. Dua të falënderoj anëtarët e jurisë që janë treguar të disponohem për të qenë pjesë e këtij konkursi. Anëtarët e jurisë herë janë të gjykuar dhe herë janë gjyqtare dhe sot në rolin e gjyqtarit janë të relaksuar, ndërsa disa gjyqtarë të deridjeshëm do shfaqen këtu të tensionuar“, tha ndër të tjera Rama.


