Ndërsa SHBA-të janë të preokupuara me Iranin dhe lufta në Ukrainë vazhdon, Evropa po fillon të pyesë veten nëse ka ardhur koha për të folur me Moskën. Por së pari duhet të bjerë dakord për çështjet që do të diskutohen dhe kush do të flasë.
Çështja është në rendin e ditës të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që zhvillohet sot dhe nesër, të premten, në Qipro.
“Para se të flasim me rusët, së pari duhet të biem dakord mes nesh për çështjet për të cilat duam të flasim me ta”, theksoi shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kalas.
Ajo paralajmëroi se BE-ja nuk duhet të bjerë në kurthin rus dhe ta përqendrojë diskutimin se kush do ta përfaqësojë Evropën në çdo bisedë me Moskën, duke nënvizuar se negociatat janë një përpjekje ekipore.
“Unë besoj se ky është një kurth në të cilin Rusia dëshiron që ne të biem: të diskutojë se kush do të flasë me ta, ndërkohë që ata tashmë po zgjedhin se kush është i përshtatshëm dhe kush jo”, tha Kallas, duke mbërritur në takimin e ministrave të jashtëm.
“Le të mos biem në këtë kurth. Negociatat janë gjithmonë një përpjekje ekipore”, shtoi ajo, duke theksuar se “për këtë arsye, substanca është shumë më e rëndësishme sesa kush”.


